Treg

Tregu i banesave-Blejnë, por vetëm apartamente të vogla

Hapësirat e mëdha dhe në zona të preferuara janë bosh. Bizneset pranë korsive të biçikletave po mbyllen vazhdimisht duke shtuar ofertën për mjedise komerciale.
tirana, pallate, cmimi i banesave,lajmet, gazeta si

Ekspertët e pasurive të paluajtshme vlerësojnë se ky treg në Tiranë dhe në Shqipëri, po ngrihet ngadalë pas mbylljes së detyruar të shkaktuar nga pandemia.

Dhe numri i transaksioneve të qershorit sipas tyre, tregoi që kriza qe artificiale, pasi sipas Dritan Lekës nga Century 21, qershori për këtë kompani realizoi kontrata në masën 115 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dritan Leka, Century 21

“Pra praktikisht në momentin që njerëzit mendojnë se e kaluam pandeminë, gjërat lirohen dhe aktivitetet rinisin menjëherë, po ashtu edhe shit-blerjet dhe dhëniet me qira”- thotë ai.

Por ajo që vihet re tani në tregun e pasurive të paluajtshme është një tkurrje e vlerës në blerje, por jo e kërkesës. Njerëzit duan të shpenzojnë më pak dhe kërkojnë hapësira të vogla me çmim të lirë në zona të përballueshme. E si rrjedhojë kanë mbetur bosh, të pashitura dhe të pakërkuara apartamentet me hapësira të mëdha dhe në zona të preferuara si zona rreth TVSH-së, Ish Blloku, etj. Për pasojë ka ulje të numrit të transaksioneve në blerje duke shkaktuar rritje të transaksioneve në qira. Ndërkohë që çmimet mbeten të pandryshuara.

Pra, ajo që po ndodh në këtë treg pas karantinës së aktiviteve ekonomike, në Pronat Residenciale ka një shtim të madh të pronave me qira sepse: shumica e qiramarrësve të këtij sektori, i lidhur ngushtë dhe me pasigurinë e vendeve të punës filluan të shihnin apartamente më ekonomike dhe në njefarë menyre filluan te drejtohen drejt kësaj kategorie;

Një pjesë e madhe e studentëve të huaj dhe punonjësve që punojnë e banojnë në Shqipëri, për shkak të masave kufizuese u larguan ne vendet e tyre të banimit.

Një pjesë shumë e madhe e apartamenteve që përdoreshin për turizëm, dolën në treg për qira.

Në total të gjitha këto situata sollën rritje të ofertës në treg, por pak kerkesë. Kjo solli ulje të çmimit të qirave në treg me mbi 20%.

Në fakt lidhur ngushtë dhe me pasigurinë që ndihej kudo, shpjegojnë ekspertët, ra pothuajse fare kërkesa për blerje apartamentesh dhe shumica e kërkesave u orientua drejt:

Rezidencave me vila dhe privatësi në periferi të Tiranës.

Rezidencave në bregdet dhe apartamenteve atje pothuajse në të gjithë Shqipërinë.

Dritan Ballgjini, ekspert në tregun e Pasurive të Paluajtshme

“Jeta do të vazhdojë, duhet të mësohemi të jetojmë gjatë me virusin. Do ketë rritje të çmimit  shtëpive në bregdet dhe vilave në periferi të Tiranës, pasi po kërkohet më shumë privatësi. Norma e Interesit e Bankës së Shqipërisë është në nivelet më të ulta, por bankat kanë rritur lupën për kredimarrësit. Të shpresojmë që kreditë e buta do të luajnë rol në rimëkëmbje. Për tu parë mbetet edhe nëse njerëzit do ti rifitojnë punët e tyre që u mbyllën para pandemisë.”- shpjegon Dritan Ballgjini ekspert në fushën e Pasurive të Paluajtshme.

Rritjen e çmimit për vilat dhe apartamentet në bregdet e konfirmon edhe Leka.

Sipas tij, këtë vit ndryshe nga vitet e tjera është vënë re kërkesë dhe shitje e lartë në bregdet.

“Me sa kam biseduar me kolegët në Maqedoni është e njëjta gjë dhe atje. I vetmi ndryshim është që atje janë rritur shumë çmimet. Ndërsa këtu janë në të njëjtin ritëm. Në Ohër çmimet janë rritur +30-40%. Unë mendoj duke parë dhe ecurinë ndër vite, që këtu tek ne çmimet vetëm do rriten. Por kjo rritje nuk bëhet me goditje, porgradualisht. Psh. Në green coast këtë vit u rritën çmimet me 7%. Vitin tjetër edhe komplekset e tjera do ti rrisin në po këto nivele. Ose dhe ai që do të fillojë të ndertojë sot, në këto çmime do të dalë”- thotë Dritan Leka.

Rritet oferta e qirasë për mjedise komerciale

Anita është një zonjë rreth të 60-ave. Ajo shet në një dyqan lodrash për fëmijë në një zonë të frekuentuar të Tiranës. Dyqani, në pronësi të të birit të saj ndodhet ndan rrugës së korsisë së biçikletave.

“Na ka prishur shumë punë korsia e biçikletave. Ca kriza përpara tërmetit, ca tërmeti, ca pandemia, shtoji korsinë e biçikletave, ne prej dy vitesh jemi në dilemë ta mbajmë apo mbyllim biznesin. Lodrat e fëmijëve në këtë kohë me këto çmime të shtrenjta janë kthyer në luks, por edhe ato pak shitje të rastësishme apo klientë që kishim që vijnë rrëmbimthi e duan të blejnë duke lënë makinë në rrugë, nuk ndodh se për shkak të korsisë së biçikletave, nuk kanë ku parkojnë. Ky është një hall I madh më vete”- shpjegon Anita për gazetën “Si”.

Pronat komerciale kane pasur në fakt rënien më të madhe të kohëve të fundit. Të dhënat zyrtare nga QKB tregojnë se nga marsi deri në qershor janë mbyllur në të gjithë vendin 1 mijë e 645 biznese.

Sipas INSTAT dhe Bankës së Shqiperisë, nga 70-100 mijë persona kanë humbur ose do humbin vendet e punës.

Në rrugët kryesore të Tiranës sheh biznese që kanë mbyllur aktivitetet e tyre. Nga qendra në periferi cmimet e tyre kanë rënë në mbi 20%. E kundërta ndodh me Zyrat per te cilat ka kerkesa pasi hapësirat  duhet te jenë më të mëdha këto kohë.

Dritan Leka pohon se pronat më të goditura, që e kanë ndjerë më shumë krizën e pandemisë janë pronat komerciale.

Por Leka thotë se dëgjon shumë të tjerë që janë në ankth, pasiguri dhe dilemë për t’u mbyllur.

“Disa u mbyllën për pasojë karantine. Disa u mbyllën për pasojë të krosive të biçikletave. Ky është bërë më problem se karantina. Prandaj ka shumë ofertë për mjedise me qira për biznes”- thotë Leka.

Edhe për Dritan Ballgjinin, bisneset janë të matur në investimet që do të bëjnë në të ardhmen. Kështu që para se të marrin vendime, duhet të bëjnë studime të mirëfillta

“Duhet të kemi parsysh që vorbulla e mbylljes, vërtitet ndaj tyre në vjeshtë. Përsa i përket dyqaneve ka majftueshëm. Më e stabilizuar është koncepti i zyrave. Nuk ka shumë në treg. Dyqane dhe bisnese të këtij tipi do hapen dhe do mbyllen. Një izolim i dytë do ishte katastrofik”- thotë ai.

Parashikimi për të ardhmen

Eskpertët nuk parashikojnë dot të ardhmen e tregut pasi kriza që po përjetohet në të gjithë globin është e paparë më parë dhe Ekonomia do të varet nga situate epidemiologjike.

“Mbetet për të parë nëse shtatori do të sjellë optimizëm në këtë fushë apo do të rifutemi në një vorbull të rrezikshme të rënies së kërkesës për Pasuri të Paluajtshme. Gjithçka rrotullohet rreth frikës dhe pasigurisë”-thonë ata.

Megjithatë sipas statistikave të Bankës së Shqipërise, kreditë per shtëpi janë rigjeneruar nga Bankat e Nivelit te Dytë në muajin Korrik.

Sipas Bashkisë së Tiranës dhe KKT “Këshilli Kombëtar i Territorit” institucionet kryesore ku merren indikacione për lejet e reja të ndërtimit, ka një tendencë në rritje të lejeve në bregdet për rezidenca dhe hotele me 5 yje dhe po ashtu një rritje për ndërtime të reja ne zonën e Tiranës në rezidenca, pallate dhe  hotele.

Pra ka afro 35% më shume leje se në 2019. P ashtu normat e interesit aktualisht janë shumë të ulëta se më parë falë incentivave lehtësuese të BSH-së, por pavarëisht këtyre indikatorëve ekspertët e kanë të vështirë të parashikojnë tregun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë