Ka ndodhur

Tregtonin kokainë dhe kanabis në Tiranë, arrestohen 3 adoleshentë

Gazeta Si - Tre adoleshentë kanë rënë në pranga në Tiranë, pasi janë kapur duke shpërndarë dhe shitur lëndë narkotike nëpër qytet.

Policia tha se janë arrestuar K.A., 17 vjeç, banues në Tiranë, M.C., 17 dhe L.D., 18 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shtetasit L. D. 18 vjeç iu gjet dhe sekuestruan, lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në dhjetëra doza, gati për shitje.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike cannabis sativa në sasi të mëdha, e ndante atë në doza të vogla dhe më pas e shiste në zona të ndryshme të Tiranës.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Supplier 4”, po nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– K. A., 17 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se 17-vjeçari e shpërndante lëndë narkotike kokainë në rrugën “Lord Bajron”;

– M. C., 17 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se 17-vjeçari e shpërndante lëndë narkotike kokainë në rrugën “Kristo Luarasi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë