Lexo me "Si"

Tregtia e majmunëve

Marrë nga libri “Një përrallë ekonomie: biznesi, banka dhe politika”

Mario Fenollar

Kështu funksionon tregu i aksioneve

Na ishte një herë një fshat, emrin e të cilit nuk e mbaj mend. Një ditë në fshat u shfaq një i huaj dhe njoftoi fshatarët se ishte i gatshëm të paguante 10 euro për çdo majmun që do t’i shisnin.

Banorët e fshatit, duke parë që kishin bollëk majmunësh në zonë, fërkuan duart për biznesin e shkëlqyer që iu ishte paraqitur dhe në pyllin pranë fshatit filluan gjuetinë e majmunëve. Burri bleu mijëra majmunë me 10 euro një copë dhe shumë shpejt furnizimi filloi të mbaronte. Pastaj, ai e ngriti ofertën e tij në 20 euro. Kjo nxiti interesin e fshatarëve, të cilët dyfishuan përpjekjet e tyre për të kapur majmunë.

Prania e paraardhësve tanë filloi të pakësohej dhe disa fshatarë u kthyen pa kapur asnjë majmun për shkak të mungesës së gjahut. I huaji e rriti ofertën në 25 euro për një copë dhe sasia e majmunëve u ul aq shumë saqë me vështirësi shumë të madhe mund të shihje ndonjë majmun e lëre më pastaj të bëje gjueti.

Në këtë situatë, i huaji e rriti ofertën në 50 euro për copë! Kjo gjë shkaktoi një trazim të madh në fshatin e vogël, banorët e të cilit filluan të ëndërronin pushime në plazhet më të bukura të botës. I huaji la ndihmësin e tij përgjegjës për biznesin, pasi ai duhej të bënte një udhëtim në qytet.

Ndihmësi, gjatë mungesës së shefit, thirri fshatarët dhe iu drejtua atyre:

  • Shikoni sa majmunë janë në kafaz. Unë ju propozoj një marrëveshje fitimprurëse.

Do t’jua shes për 35 euro secilin dhe kur shefi im të kthehet nga qyteti, ju mund t’i rishitni ato për 50 euro. Një biznes i pastër dhe pazar i mbyllur!

Fshatarët nxorën të gjitha kursimet e tyre dhe i blenë të gjithë majmunët.

Pas kësaj, ata kurrë më nuk e panë as të huajin dhe as ndihmësin e tij. Vetëm majmunë gjithandej.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë