Analize

Tre njerëzit që po e mbajnë peng Lindjen e Mesme

Nga Gazeta 'Si' - Eseisti dhe historiani skocez i shekullit XIX, Thomas Carlyle, besonte se “historia e botës, nuk është gjë tjetër veçse biografia e njerëzve të mëdhenj”. Por nuk janë gjithmonë burrat e mëdhenj, ata që mund t’i ndryshojnë ngjarjet. Dhe e ardhmja e Lindjes së Mesme, është aktualisht në duart e 3 njerëzve të tillë, të cilët duket se janë të vendosur të mbijetojnë politikisht.

Siç qëndrojnë gjërat aktualisht, rrjedha e ardhshme e ngjarjeve në Lindjen e Mesme, varet kryesisht nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, presidenti i Autoritetit Palestinez (AP) Mahmud Abbas dhe udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar.

Por që paqja të ketë një shans, që të tre duhet ta kuptojnë se nuk mund të jenë pjesë e kësaj të ardhmeje. Dhe nëse armët do të heshtin, atëherë koha e tyre ka mbaruar. Gati një duzinë vendesh, janë aktualisht të përfshira në luftimet e shkaktuara nga sulmet e rënda të Hamasit në Izraelin Jugor më 7 tetor 2023, dhe konflikti po përhapet në të gjithë rajonin.

Por ndërsa SHBA-ja dhe Arabia Saudite, janë në krye të përpjekjeve të mëdha diplomatike për të gjetur një rrugëdalje nga kjo kriza, ato vazhdojnë që të sabotohen, duke nxitur zhgënjimin por edhe frikën nga Shtëpia e Bardhë, se Lufta e Gazës mund t’i kushtojë presidentit Joe Biden zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Duke qenë shumë dyshues ndaj Netanyahut, thuhet se Biden e ka quajtur në biseda private një “djalosh shumë të keq” kryeministrin izraelit. Por projekti i përbashkët i paqes SHBA-Arabi Saudite, është një plan progresiv me disa faza të veçanta, por të mbivendosura, që kërkon pranimin në tryezë të tre udhëheqësve.

Plani përfshin arritjen e një armëpushimi, lirimin e mbi 100 pengjeve izraelite që mbahen ende nga Hamasi në Gaza. Po ashtu, kërkon angazhimin serioz të Izraelit për një zgjidhje të konfliktit përmes krijimit të 2 shtete, me garancinë e fortë për krijimin e një shteti të pavarur palestinez.

Shpërblimi për këtë lëshim, do të jetë një marrëveshje për “normalizimin” e raporteve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite. Një fazë tjetër e marrëveshjes, kërkon edhe ripërtëritjen e lidershipit të Autoritetit Palestinez, që akuzohet si i korruptuar dhe i paaftë, për të mundësuar qeverisjen siç duhet dhe me përgjegjësi të Bregut Perëndimor, por edhe që AP të marrë kontrollin civil të Gazës.

Po çfarë mund të shkojë keq?

Sigurisht, lëvizjet e palëve ndërmjetësuese duhet të jenë të përpikta. Dhe kjo do të kërkojë që si Netanyahu, Abbas ashtu edhe Sinwar të luajnë role konstruktive, edhe pse këta të fundit kanë pak stimuj për ta bërë këtë dhe shumëçka për të humbur.

Në rastin e Sinwar, ndoshta edhe vetë jetën. “Bibi dhe Sinwar janë që të dy në bunkerët e tyre dhe duan të mbijetojnë”- thotë ish-oficeri i inteligjencës së Mossad, David Meidan, që më parë ka qenë koordinator i lirimit të pengjeve i Netanyahut. Ky i fundit, dëshiron të qëndrojë në pushtet, por nëse nuk heq dorë nga skepticizmi mbi një zgjidhje me dy shtete, apo nëse nuk nënshkruan diçka më shumë se një armëpushim të shkurtër, atëherë do të bjerë qeveria e tij e koalicionit.

“Ndërkohë, Sinwar po përpiqet të kuptojë se si të mbetet gjallë”- thotë Meidan për POLITICO. Ai nënkupton me këtë, se ekzistenca e pengjeve po i frenon Forcat Mbrojtëse të Izraelit ndërsa po përpiqen të lokalizojnë dhe vrasin liderin e Hamasit. (Sinwar mendohet se fshihet nën tokë në një nga tunelet e Hamasit në Khan Yunis).

Ish-shefi i sherbimit sekret izraelit Yaakov Peri është dakord me këtë qasje. Pa një marrëveshje që i garanton jetën apo mërgimin e tij - njëlloj si udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës Yasser Arafat në vitin 1982 - nuk ka shumë arsye që Sinwar të pajtohet me ndonjë gjë, thotë Peri për POLITICO.

“Sinwar dëshiron të mbetet sundimtar i Gazës. Dhe tani ai po i mban pengjet e mbetura afër vetes, sepse e kupton që nuk do ta bombardojmë për shkak të pengjeve.  Nëse ai liron pengjet do të firmoste ekzekutimin e tij me vdekje. Në këtë kuptim, Bibi dhe Sinwar janë njëlloj. Të dy po shqetësohen për fatin e tyre”- thekson Peri.

Por Netanyahu, ka një nxitje të shtuar për të mbetur në pushtet me koalicionin e tij më të djathtë në historinë 75-vjeçare të Izraelit. Gjyqi i gjatë ndaj kryeministrit izraelit për disa akuza për mashtrim, ryshfet dhe shkelje të besimit, do të rifillojë pas një pauze për shkak të luftës në Gaza.

Dhe nëse shpallet fajtor, ai shpreson ende të miratojë një ligj për të shmangur burgun, dhe për të cilin mund të ketë nevojë për shumicën e tij prej 64 vendesh në Knesset-in 120 anëtarësh. Po Abbas, lideri 80-vjeçar i Autoritetit Palestinez? Politologu Khalil Shikaki, drejtor i Qendrës Palestineze për Kërkime Politike dhe Sondazhe thotë se “Abbas dëshiron të mbijetojë, dhe ai është prej shumë kohësh në këtë situatë, që nga prishja e negociatave me Ehud Olmert në vitin 2008 dhe nga lufta e Gazës në vitin 2014”.

Nga selia e tij pranë zyrës kryesore administrative të Këshillit Legjislativ Palestinez (PLC) në Al-Bireh, Shikaki tha për POLITICO se “Abbas është i paralizuar, dhe nuk po ndërmerr asnjë hapat më të thjeshtë, siç është përdorimi i policisë së tij për të mbrojtur komunitetet palestineze nga kolonët izraelitë. Mbrojtja e tyre është përgjegjësi e tij. Megjithatë, ai nuk ka dërguar asnjë polic atje. Pse? Sepse nuk dëshiron të trazojë ujërat apo të prishë statuskuonë”.

PLC nuk ka funksionuar që nga marrja e kontrollit të Gazës nga Hamasi në vitin 2007, kur Abbas shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Bregun Perëndimor, dhe që atëherë ai ka qeverisur me dekret presidencial, ligjshmëria e të cilit është vënë në pikëpyetje.

Nga ana tjetër, Shikaki e vlerëson në parim planin SHBA-Arabi Saudi. “Në rast se ka një vizion që adreson të gjitha çështjet, nga armëpushimi tek qeverisja e Gazës, nga zgjidhja e konfliktit palestinezo-izraelit tek normalizimi i raporteve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, atëherë ka shanse të fitohet mbështetja e publikut izraelit dhe palestinez. Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë. Por duhet nisur nga këtu për të ndikuar tek vendimmarrja e 3 udhëheqësve”- thotë ai.

Megjithatë Shikaki, ai shton se një ripërtëritje e Autoritetit Palestinez, do të kërkonte që Abbas të heqë dorë nga pjesa më e madhe e pushtetit të tij. Ai do të detyrohet të emërojë një qeveri teknokratësh, profesionistësh, akademikësh dhe liderësh të biznesit, që të gjithë të udhëhequr nga një kryeministër i dorës së fortë, që të pranojë të rrijë në këtë post përkohësisht për rreth një vit, duke e stabilizuar gjendjen në Gaza, parandaluar shpërthimin e dhunës në Bregut Perëndimor dhe përgatitur zgjedhjet e reja.

Por a do ta bëjë këtë Abbas? “Ju nuk keni përmendur një burrë tjetër. Ai nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë Abasin apo të gjithë ata që të mbijetojnë, por mund t’u ofrojë atyre një rrugëdalje nga ky konflikt, dhe ky është Joe Biden. Duke e njohur mirë Bibin, them se nuk do ta bëjë vullnetarisht. Ndaj duhet të detyrohet”- tha ai.

Burimi: Politico.eu/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë