Ngjarje

Traumat e rënduara nga Covid-19, 10-vjeçari: Lësho mamin, ose do vras veten

“Babi po e tërhiqte zvarrë nga flokët. Babi e godiste me shkelma edhe kur ajo u rrëzua përdhe. E qëllonte pambarim dhe pastaj i tha “do të vras, nuk të lë të dalësh e gjallë nga kjo shtëpi”. Ky është rrëfimi i F., djalit dhjetëvjeçar që u pyet në polici pasi babai i tij Luftar D. kishte dhunuar 35-vjeçaren Rudina D. Fëmija ka shtuar më tej dhe ka rrëfyer se, i trembur nga çfarë po ndodhte dhe pasi i është lutur babait të ndalonte dhunën, ka shkuar në kuzhinë ku dhe ka marrë thikën. “Do vras veten, nuk jetoj dot pa mamin në rast se i ndodh gjë”, ka ulëritur fëmija mes lotëve, pasi është përpjekur dhe ka kërkuar ndihmë edhe nga pronari i shtëpisë ku familja jeton me qira.
Sipas procesverbalit të policisë që ka referuar dhunuesin për dhunë në familje sipas nenit 130 a/4, rrahja e gruas në sy të dy fëmijëve djalit dhjetë vjeç dhe vajzës tre vjeçe, ndodhi në një banesë private në Farkë. Por siç vijohet më tej në përpilimin e raportit që Gazeta “Si” e disponon, ky sulm fizik ndaj nënës së dy fëmijëve nuk është rasti i parë. Sidoqoftë dhuna dhe dozat e çrregullimit të bashkëshortit janë përkeqësuar akoma më tej nga karantinimi.
“Luftar D. u kthye i dehur në shtëpi, nuk e di se ku kishte pirë”, tregon bashkëshortja e dhunuar. Rudina shpjegon se dhuna ndaj saj dhe fëmijëve është ushtruar edhe para Covid-19, sa herë që familja mbetej dobët ekonomikisht.
“Hera e fundit kur ai më goditi dhe më dhunoi i përket muajit tetor 2019. Për këtë rast bëra kallëzim në polici, por më pas u tërhoqa sepse mendova që do reflektonte”, ka thënë 35-vjeçarja, e cila njëkohësisht ka sjellë edhe njëherë përpara oficerëve të policisë kujtimet nga goditjet e fundit nga partneri. Sapo është kthyer në shtëpi i dehur, burri i ka kërkuar bashkëshortes telefonin. Ajo ka refuzuar t’ia japë duke e pyetur “përse të duhet”.
“U sul drejt meje pa asnjë shkak, më vendosi të dyja duart në fyt dhe i shtrëngoi fort, pastaj më qëlloi në nofull me grusht. Aty mbaj mend që u rrëzova, filloi të më qëllojë me shkelma, më kapi për flokësh dhe më thoshte se do më vriste”, rrëfen ajo. Rudina nuk ia ka dalë mbanë të shkëputet prej dhunuesit derisa aty ka mbërritur fqinji i çiftit. Ka qenë fëmija 10-vjeçar që e ka kërkuar ndihmën e tij, thuhet në materialet që Gazeta “Si” disponon. I pyetur nga policia fqinji Zigur S. rrëfen se si gjeti në korridor fëmijët e vegjël që kapnin nga xhaketa të atin dhe i luteshin “mos e rrih mamin”.
“Ata jetojnë në shtëpinë tonë me qira, nuk e di çfarë ndodh mes tyre dhe më vjen keq, Luftari është gjaknxehtë dhe ndoshta edhe problemet ekonomike sëbashku me alkoolin dhe Covidin e kanë shtyrë të humbasë logjikën”, ka shtuar fqinji.Sapo ai i ka hequr nga duart gruan që përpëlitej, ka parë se si ajo ka vrapuar duke marrë të dy fëmijët për t’u mbyllur në dhomë. Fqinji kujton se si i bërtiti bashkëshortit të dhunshëm dhe se si në një çast agresori i është kthyer edhe atij duke shryrë e duke i thënë: “kujt i bën presion ti?”.
“Por pavarësisht kësaj, e shtyva burrin duke e nxjerrë nga shtëpia dhe pastaj pak e nga pak e nxorra në rrugë kryesore që të qetësohej e të largohej nga bashkëshortja”, shton dëshmitari okular në procesverbalin e marrjes në pyetje nga policia. Nga këqyrjet e mjekëve ligjorë janë evidentuar si fakte rënduese për partnerin e dhunshëm shenjat në trupin e bashkëshortes dhe në fytyrë, ndërsa pozitën e tij do ta rëndojë edhe raporti i firmosur nga psikologët e policisë, që detajon gjendjen e rënduar psikologjike të fëijëve, veçanërisht të djalit 10-vjeçar.
Siç kuptohet nga dosja që Gazeta “Si” disponon, fëmija më i rritur në moshë është pyetur nën praninë e psikologëve dhe ka treguar se shpesh e ka dëgjuar të atin ta kërcënonte mamanë me fjalinë “do të ther”. “Ai e rrahu prapë dhe unë iu luta, u përpoqa por nuk dëgjonte asgjë vetëm qëllonte. Kur babain e nxorrën jashtë mendova dhe mora thikën për të qëlluar veten, pasi kam frikë për mamin dhe nuk jetoj dot pa të, nëse babi e vret”, tha para policisë fëmija i traumatizuar.

Psikologia
Një psikologe e policisë deklaroi për Gazetën “Si” se ndonëse rastet janë më të pakta, karantinimi ka shtuar dozat e dhunës në familje dhe agresivitetin tek burrat. “Fëmijët po përjetojnë në disa familje ku dhuna është prezente dhunë të tejskajshme dhe rasti i këtij fëmije është një nga ato shembuj, ku duhet të reflektohet tek shumë çifte që punonin në të zezë dhe që nga Covid-19 kanë humbur punën. Fëmijët që ne pyesim janë të terrorizuar nga kjo dhunë psikologjike dhe fizike të cilën e dëshmojnë. Mekanizmat e ngritur për të parandaluar dhunën në familje në këtë rast treguan që nuk funksionojnë mjaftueshëm”, shtoi për Gazetën “Si” në anonimitet psikologia që asiston paraprakisht gratë që kërkojnë urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë