Ngjarje

Kush i vrau banorët e Thumanës?!

Prokuroria ka nisur hetimet për shembjen e pallateve në Thumanë, ku 24 vetë gjetën vdekjen, nga 51 në total në gjithë zonat e prekura. Të dyja pallatet ishin dëmtuar rëndë edhe nga tërmeti i 21 shtatorit të këtij viti. Në publik kanë nisur diskutimet nëse ishin apo jo të banueshme këto pallate që përpara 26 nëntorit. Gazeta “Si” po risjell dy shkrime që në fakt i ka botuar që në datë 26 nëntor, ku trajtohet pikërisht kjo çështje.

Viktimat e tërmetit në Thumanë mund të ishin shmangur nëse strukturat shtetërore të vlerësimit të banesave do të kishin vepruar në kohë.
Gazeta “Si” mëson nga burime të sigurta pranë strukturave shtetërore që aktivizohen pas tërmeteve duke ngritur grupe pune për vlerësimin e dëmeve dhe për verifikimin nëse një godinë është e banueshme apo jo, se në periudhën gusht-nëntor 2018 janë inspektuar për sigurinë teknike dy pallatet e shembura nga tërmeti i kësaj të marte në Thumanë.
Burimet thonë se inspektimi nisi me kërkesë të banorëve që iu drejtuan pushtetit vendor pas tërmeteve të lehta që goditën këtë zonë në atë kohë, si dhe për shkak të amortizimit të godinave që janë të viteve
Në fund të këtij procesi, thonë burimet, u arrit në përfundimin se pallatet ishin brenda kushteve e parametrave të sigurisë teknike dhe u dhanë dritën jeshile banorëve për të jetuar në këta pallate.
Tërmeti i shtatorit të këtij viti që goditi vendin ishte goditja tjetër, që sipas dëshmive të banorëve dëmtoi edhe më tej strukturat e dy pallateve në fjalë.
Edhe në këtë rast, banorët u janë drejtuar autoriteteve vendore për ndihmë dhe vlerësim teknik për sigurinë teknike të pallateve.
Por, burimet e Gazetës “Si” thonë se grupet e verifikimit në terren, edhe për mungesë stafi nuk e verifikuan situatën.
“Puna u përqendrua më shumë tek identifikimi dhe verifikimi i dëmeve në zonat e prekura më fort, si në Ishëm dhe Durrës”, pohojnë burimet.
Sa për Thumanën mbetet e paqartë nëse nga tërmeti i shtatorit e deri në tërmetin e fundit që shkaktoi tragjedinë ka patur ndonjë verifikim në terren nga autoritetet, pavarësisht alarmit të banorëve.

Besim Murati është një nga banorët e Thumanës, shtëpia e të cilit është shkatërruar nga tërmeti i fundit. Ai ka folur për Gazeta “Si”, duke treguar se pas tërmetit të shtatorit banorëve u është thënë se pallatet janë të banueshëm.
“Jemi gjallë… Dua të them se këtu ka rënë tërmet edhe vjet. Ka pasur dëme edhe atëherë. Na kanë thënë në atë kohë se pallatet janë të banueshëm, tani ja ku janë, në kosh të plehërave. Kanë pasur dëmtime që nga tërmeti i parë”, ka thënë mes të tjerash Besim Murati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë