Rend dhe Ligj

Tragjedia në Himarë, Gledis Nano kërkon bashkëpunimin e institucioneve për sigurinë në plazhe

Gazeta Si - Tre ditë pas ngjarjes tragjike në Potam, Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, bashkive, prefektuarave dhe ministrive përgjegjëse me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurt.

Në një letër që mban datën 5 gusht, kryepolici Gledis Nano, kërkon nga këto instancat marrjen e masave më qëllim sigurinë e pushuesve.

“Policia e shtetit nuk mund të mund të veprojë e vetme dhe as nuk mund të jetë e vetmja përgjegjëse, nëse hallkat ndërinstitucionale nuk bashkëpunojnë dhe zbatojnë ligjin”, - thotë ai.

Nano thekson se “për të garantuar dhe siguruar jetën e qytetarëve dhe të pushuesve, përgjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, kërkojmë bashkëpunimin dhe angazhimin e të gjitha hallkave institucionale për të monitoruar, kontrolluar zbatimin e ligjit dhe të akteve nënligjore në fushën e turizmit”.

Për të arritur rezultatet e duhura, Nano kërkon që Policia e Shtetit të informohet periodikisht për masat e marra, gjë që sipas tij nuk është bërë në asnjë rast.

“Policia e Shtetit duhet të informohet periodikisht mbi masat e marra nga institucionet përgjegjëse (detyrim i cili nuk rezulton të jetë zbatuar nga institucionet drejtpërdrejt përgjegjëse, për asnjë rast), të cilat lejojnë licensimin për zhvillimin e aktiviteteve dhe turizmit detar, pajisjen me leje drejtimi të pajisjeve motorike lundruese, përcaktimin e zonave të ndaluara për lundrim dhe ankorim të mjeteve lundruese, si dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me hapësirën detare. Duhet të informohen të gjitha organet ligjzbatuese për çdo shkelje apo moszbatim të ligjit nga çdo subjekt publik apo privat.

Në këtë letër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pranon publikisht se asnjë nga këto instanca nuk ka funksionuar për sigurinë e pushuesve.

Ky reagim vjen pas tragjedisë në plazhin e Himarës, ku një gomone në shkelje të ligjit, e cila drejtohej nga polici Arjan Tase, vrau një vogëlushe 7-vjeçare ndërsa po lahej në det.

Menjëherë pas ngjarjes, Nano ka shkarkuar gjithë zinxhirin e kontrollit të Policisë Kufitare në zonën e Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë