Ngjarje

Tragjedia e Leisterit, familja e një prej viktimave kërkon 9 milionë euro

Në tetor të 2018-ës ndodhi një tragjedi jashtë stadiumit “King Power Stadium” të Leisterit, ku humbën jetën pronari i klubit anglez Srivaddhanaprabha dhe 4 persona të tjerë. Helikopteri i tyre u rrëzua dhe shpërtheu në flakë vetëm pak momente pasi ishte ngritur nga stadiumi. Nga hetimet u mësua se bëhej fjalë për një problem teknik, ndërsa tani ka zhvillime të tjera sa i takon kësaj ngjarjeje.

Familja e Nusara Suknamai, njërës prej viktimave, ka ngritur një padi ndaj pronarëve të klubit dhe kërkon një dëmshpërblim prej 9 milionë eurosh. Një vit pas ngjarjes që shokoi futbollin botëror dhe veçanërisht atë anglez, çështja ka marrë rrjedhë tjetër. Përveç pronarit të Leisterit, kampion i Anglisë në vitin 2016, Vichai Srivaddhanaprabha, ndërroi jetë edhe bukuroshja tajlandeze Nusara Suknamai, 32 vjeç (vendi i dytë në 2005-ën në “Miss Thailand Universe”), asistente personale e bosit të klubit anglez.

Nusara Suknamai, një nga viktimat e aksidentit tragjik të Leisterit. Gazeta Si, 24 shtator 2019

Tani familja e saj e ka ndjekur çështjen ligjërisht dhe ka çuar në gjyq pronarët e Leisterit, duke u kërkuar një dëmshpërblim prej 7.9 milionë stërlinash, rreth 9 milionë euro. Avokatët bëjnë me dije se familja e Nusaras ka marrë deri tani vetëm 2 mijë sterlina për ceremoninë mortore. Po ashtu, ata kanë pohuar se janë refuzuar oferta prej 20.100 dhe 40.200 stërlinash, që konsiderohen të pamjaftueshme sa i takon dëmshpërblimit. Procesi gjyqësor do të mbahet në Bangkok, në nëntor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë