Ngjarje

Rrëzimi i helikopterit, si ndodhi tragjedia e Leiçesterit

Faqja zyrtare e Leiçesterit ka publikuar mbrëmjen e së dielës një komunikatë, me anë të së cilës konfirmonte vdekjen e presidentit Vichai Srivaddhanaprabha dhe 4 personave të tjerë që ishin në bordin e helikopterit, por pa i përmendur emrat e tyre. “Me hidhërim të thellë dhe zemër të thyer konfirmojmë se presidenti ynë, Vichai Srivaddhanaprabha, ishte mes atyre që humbën jetën tragjikisht të shtunën në mbrëmje, kur helikopteri i tij u përplas jashtë ambienteve të “King Power Stadium”.

Por tashmë është qartësuar gjithçka për 4 viktimat e tjera të aksidentit. Bëhet fjalë për pilotin Eric Swaffer, të dashurën e tij Izabela Roza Lechowicz, edhe ajo pilote, dhe të dy pjesëtarëve të stafit të presidentit të Leiçesterit, Nursara Suknamai dhe Kaveporn Punpare. “Asnjë nga personat në bord nuk ka mbijetuar. Ngushëllimet tona shkojnë familjen Srivaddhanaprabha dhe familjet e atyre që ishin në bord në atë moment”, - vazhdon komunikata e klubit anglez. Është folur edhe për një gjest heroik nga ana e dy pilotëve, të cilët bënë gjithçka që të shmangnin trajektoren që do ta çonte helikopterin mbi tifozët jashtë stadiumit.

Tifozët e Leiçesterit i bëjnë homazhe presidentit të ndjerë

Pas ngjarjes u tha se në helikopter ishin edhe fëmijët e presidentit të Leiçesterit, por nuk ka qenë kështu. “Mirror” në Angli bën me dije se ende nuk është hapur kutia e zezë e helikopterit, që do të hedhë dritë mbi shkaqet e rrëzimit, por dyshimi kryesor është për një defekt elektrik, që ka sjellë avarinë.

Pas zyrtarizimit të vdekjes së presidentit, gjithë lojtarët e Leiçesterit i kanë bërë homazh numri 1 të klubit. Veçohet letra emocionuese e portierit Kasper Schmeichel, i cili ka shkruar: "Presidenti im i dashur, nuk arrij ta besoj atë që pashë, ndihem i dërrmuar. E vështirë të shpjegohet çfarë domethënie keni ju për këtë klub. Kurrë nuk kam takuar një person si ju, që i transformoi ëndrrat e mia në realitet. Të gjithë i dinë investimet tuaja, por jo vetëm kaq. Ju jeni kujdesur jo vetëm për klubin, por për gjithë komunitetin, keni bërë bamirësi që nuk harrohet kurrë. Nuk kam njohur një njeri kaq pasionant, punëtor, të sjellshëm dhe zemërgjerë si ju. Ju kishit kohë për të gjithë dhe keni bërë që e pamundura të bëhet e mundur për të gjithë. Jo vetëm për tifozët tanë, por për gjithë tifozët e botës. Pa ju dhe familjen tuaj nuk do ta kishim arritur kurrë atë sukses”.

Letra e portierit Shmajkel për presidentin e ndjerë

Edhe sulmuesi Jamie Vardy ka bërë një postim mallëngjyes për presidentin e ndarë nga jeta: “Po përpiqem të gjej fjalët e duhura, por e kam të pamundur. Je një legjendë, një njeri i pabesueshëm, me zemër të madhe, shpirti i Leiçesterit . Faleminderit për atë që ke bërë për mua, familjen tim dhe klubin tonë. Do të më mungosh vërtet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë