Gazeta Si – Në 16-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit (15 mars 2008), Zamira Durda, e cila humbi djalin 7 vjeçar gjatë shpërthimit të fabrikës së demontimit, tha se është e zhgënjyer nga SPAK.
Në një prononcim për mediat nga Gërdeci, ku u përkujtuan 26 viktimat për 16-vjetorin e tragjedisë, ajo tha se përsa kohë nuk ngrihet akuza e vrasjes ndaj përgjegjësve, nuk do të ketë drejtësi.
“Po zhgënjehem nga dita në ditë edhe në dyert e SPAK-ut, sepse nuk duhet ta ulin veten ata prokurorë dhe të pranojnë ato pyetje. Të mos flitet për viktimat dhe pasojat, po vazhdojnë akoma me akte administrative, jo e firmose ti. Është qesharake për viktimat. Janë 26 viktima. Djali im ka 16 vjet që më tretet në dhe”.
Sipas saj, “Gërdeci është krim shtetëror dhe duhet të hetohet e gjithë piramida, sepse të gjithë kanë dijeni për atë që ndodhte këtu. Me korrupsion po dalin me dy vjet dënim, për sa kohë nuk ngrihet akuza e vrasjes. Më intereson të ngrihet akuza e vrasjes, ne si familjarë nuk do të kemi drejtësi. Do të ngrihemi ne vetë dhe të bëjmë drejtësi”, – u shpreh Durda”.
Duke iu referuar refuzimit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, nën hetim për këtë çështje për shpërdorim detyre, Durda tha se “nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të SPAK-ut, ishte shumë vrastare. Ai do mbrohet, pyetjet që i janë bërë para dëshmitarëve, kanë qenë shumë qesharake, ai vjen çdo seancë dhe ka përballë punonjësit e vetë që ka pasur dhe kjo është një presion“.
Prej një viti, në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit në Tiranë po zhvillohet një proces gjyqësor ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.
SPAK e çoi në gjyq nën akuzën e shpërdorimit të detyrës të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, duke mos formuluar asnjë akuzë të re apo bërë hetim të ri.
SPAK riktheu një proces, të cilës Mediu i kishte shpëtuar me procedurë shtatorin e vitit 2009, ditën kur ish ministri kishte marrë mandatin e deputetit dhe tashmë kishte imunitet.
Në proces deri më tani janë pyetur dhjetëra dëshmitarë por shumë të rëndësishëm kanë refuzuar të flasin.
Është thirrur djali i ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, ish-ministri Aldo Bumçi e ish-zyrtarë të tjerë.
Megjithatë, 16 vite nga tragjedia e Gërdecit, askush nuk është sot në qeli dhe asnjë nuk është i dënuar për vrasje nga 28 të pandehurit që morën dënime pranverën e viti 2012, 4 vite pas masakrës.
Dënimin më të rëndë me 18 vjet burg e mori Ylli Pinari, ish-drejtori i “Meico”-s, ndërmarrjes shtetërore të import-eksportit të armëve dhe drejtori i Fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli.
Ndërsa pronari i fabrikës, Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet. Për të tre këta ishte kërkuar burgim i përjetshëm.
Për ish-shefin e Shtabit, Luan Hoxha, i cili thuhet se është larguar nga vendi, dënimi ishte 6 vjet burg, ndërsa disa ish-gjeneralë të tjerë u shpallën të pafajshëm.
Nga tragjedia e Gërdecit më 15 mars 2008, ku ndodhi shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.