Nga Gazeta ‘Si’- Të paktën 72 persona kanë humbur jetën gjatë fluksit më të madh të emigrantëve drejt enklavës spanjolle Ceuta në Afrikën e Veriut, sipas autoriteteve spanjolle.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Marokut ka dhënë një bilanc më të ulët, duke raportuar 11 viktima.
Rreth 60 mijë persona, shumica duke notuar nga brigjet e Marokut, hynë në territorin spanjoll gjatë kalimit masiv të ditëve të fundit, ngjarja më e madhe e këtij lloji në historinë e Ceutës. Shumica e tyre janë kthyer në Marok brenda 48 orësh.
“Shifra më e fundit që kemi është 72 viktima”, deklaroi Miguel Ángel Pérez Triano, përfaqësuesi i qeverisë spanjolle në Ceuta. Më herët, bilanci ishte 67 të vdekur.
Nga ana tjetër, autoritetet marokene thanë se 10 persona u mbytën dhe një tjetër humbi jetën pas një rënieje nga një zonë shkëmbore gjatë përpjekjes për të arritur enklavën spanjolle.
Pas krizës së papritur, rrugët e Ceutës janë rikthyer kryesisht në normalitet, ndërsa policia dhe ushtria spanjolle kanë shtuar patrullimet. Vetëm grupe të vogla emigrantësh kanë mbetur në territor, kryesisht të mitur që presin mundësinë për të vazhduar drejt Spanjës kontinentale.
Kriza ka shkaktuar reagime të forta në Bashkimin Europian, ndërsa disa vende kanë kritikuar politikën e Madridit për menaxhimin e emigracionit. BE-ja ka njoftuar një takim urgjent online pasi 22 vende anëtare kërkuan një përgjigje të koordinuar për të parandaluar kalime të tjera të pakontrolluara.
Spanja ka akuzuar grupe kriminale për përhapjen e thashethemeve në rrjetet sociale se një vendim i fundit i Gjykatës së Lartë spanjolle do t’u lejonte emigrantëve hyrje më të lehtë në territor.
Disa analistë kanë ngritur gjithashtu dyshime se Maroku mund të ketë lejuar kalimet masive si mënyrë për të ushtruar presion diplomatik ndaj Spanjës, pas afrimit të fundit të Madridit me Algjerinë, rivalen rajonale të Rabatit.
Në vitin 2021, rreth 10 mijë emigrantë hynë në Ceuta pasi Maroku lehtësoi përkohësisht kontrollet kufitare në një përplasje diplomatike me Spanjën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje