Gazeta Si – Një traget pasagjerësh i kompanisë “Filo Shipping” u përmbys pranë brigjeve të Qipros, pak pasi u nis nga porti i Kyrenias/Girnes, në të ashtuquajturën Republika Turke e Qipros Veriore (një shtet që nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar).
Për incidentin njoftoi Ministria lokale e Shëndetësisë. Sipas kryeministrit turko-qipriot, Unal Ustel – i cili i konfirmoi vdekjet gjatë një deklarate për agjencinë “Anadolu” – raportohet për të paktën tetë viktima. Kapiteni i anijes është arrestuar.
Kpiteni dhe tetë anëtarë të tjerë të ekuipazhit të tragetit që u mbyt pranë brigjeve të Qipros Veriore janë arrestuar nën dyshimin për neglizhencë; kjo u raportua nga “Cyprus Mail”, duke cituar Ünal Üstel-in, Kryeministrin e Republikës Turke të Qipros Veriore (shtet i vetëshpallur). “Çdo aspekt i këtij incidenti do të hetohet” deklaroi Üstel.
Rreth 242 persona janë shpëtuar, ndërsa kërkimet për 17 të tjerë vijojnë. Trageti, i cili fillimisht qëndroi pjesërisht i përmbysur në det, më pas “u mbyt plotësisht në një thellësi prej 514 metrash”.
Kjo u bë e ditur nga ministri i Transportit, Erhan Arıklı, për transmetuesin turk TRT. Sipas shifrave të fundit të dhëna nga Arıklı, 161 persona “u dërguan në spital dhe 76 u ribashkuan me familjet e tyre”. Ministri nuk dha informacione të mëtejshme lidhur me fatin e personave të zhdukur.
“Iu lutëm kapitenit të kthehej mbrapsht” sapo trageti filloi të mbushej me ujë. “Por ai nuk na dëgjoi.” Ky është rrëfimi që po qarkullon në rrjetet sociale turke nga disa prej pasagjerëve të shpëtuar.
Trageti u përmbys rreth dy kilometra larg bregut të Qipros Veriore. Një pasagjer i shpëtuar tregoi se kishte dëgjuar një shpërthim në pjesën e përparme të tragetit.
Burri – i paidentifikuar dhe rreth të pesëdhjetave – u tha mediave lokale se kishte qëndruar “një orë e gjysmë në ujë” para se të shpëtohej. I njëjti i mbijetuar akuzoi kapitenin se ishte hedhur i pari në ujë “pa asnjë plan”. Për momentin, ky mbetet rrëfimi i vetëm njërit prej pasagjerëve që mbijetuan.
Ustel dha gjithashtu detaje të reja rreth incidentit. Trageti, që kishte si destinacion portin turk të Taşucu-s, ishte planifikuar ta kryente udhëtimin një ditë më parë, por nisja e tij ishte shtyrë për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.
“Anija duhej të kishte mbërritur në Turqi dje, por u nis sot për shkak të motit të keq”, shpjegoi Ustel. “Megjithatë, ajo u godit nga një valë fillestare në ujëra të hapura dhe, ndërsa kapiteni përpiqej të rimerrte kontrollin, anija filloi të mbushej me ujë pasi u godit nga një valë e dytë”.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Turqisë, mjeti lundrues filloi të mbushej me ujë rreth katër milje larg portit të nisjes dhe rrezikonte të fundosej.
Sipas mediave lokale, operacionet e shpëtimit thuhet se janë ende duke u zhvilluar. Katër anije të Rojës Bregdetare Turko-Qipriote dhe pesë anije të Rojës Bregdetare Turke janë vendosur në zonë, së bashku me dy helikopterë dhe anijen e pasagjerëve Akgunler 3.
Marina Turke ka dërguar gjithashtu gjashtë njësi shtesë detare për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje