Gazeta Si- Ish-policja e Burgjeve në Shkodër, Denisa Halilaj, e arrestuar një ditë më parë në Tiranë me grupin prej 4 personash që trafikonin armë nga Malësia e Madhe për t’i shitur pranë grupeve kriminale, ka mohuar përfshirjen e saj.
Denisa Halilaj ka thënë para hetuesve se nuk ka pasur dijeni se në makinën e dytë “BMW” ka pasur kallashnikovë dhe pushkë.
Sipas burimeve paraprake, 22-vjeçarja ka treguar se grupi i djemve i kishin thënë se do të shkonin në Tiranë për të shoqëruar disa persona dhe nuk i është thënë se do të shisnin arsenal armësh.
Prokuroria dyshon se e reja ka lidhje me automjetin tjetër dhe se përgjatë gjithë itinerarit ka kryer rolin e vëzhgueses dhe hapjes së rrugës, me qëllim mbërritjen pa probleme në Tiranë.
Ndërkohë, 4 të rinjtë e tjerë të arrestuar, Denis Hasaj, Marjan Hasaj, Redi Nika dhe Sabian Hasaj, kanë refuzuar të flasin para hetuesve, duke mos treguar asnjë detaj për shitjen e armëve, përfshirë këtu edhe emrat e personave ku do të shiteshin në Tiranë.
Grupi hetimor është duke këqyrur në mënyrë të detajuar celularët e tyre për të zbardhur prova të tjera për veprimtarinë kriminale.
Armët e sekuestruara rezultojnë të jenë të vitit 1997, të magazinuara që në atë kohë, por që janë aktive dhe në përdorim.
Të rinjtë kanë mohuar gjithashtu të tregojnë edhe ku i kanë marrë këto armë dhe kujt i përkasin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




