Ka ndodhur

Trafik i rënduar drejt plazheve të Jugut. Mijëra emigrantë kthehen nga Italia nga Porti i Durrësit

Gazeta Si - Në pikun e sezonit veror trafiku i automjeeteve pranë zonave bregdetare sa vjen e rëndohet.

Këtë të diel, tuneli te “Uji i Ftohtë” në Vlorë është bllokuar nga radhët kilometrike të makinave.

Që në orët e para të mëngjesit, qindra automjete kanë ngecur në vend, duke mos lëvizur për thuajse një orë si pasojë e trafikut të rënduar.

Që në fillim të këtij sezoni veror, thuajse cdo fundjavë ka qenë me trafik të rënduar në Vlorë, por edhe në Durrës dhe Shëngjin.

Ndërkohë, kjo fundjavë ka sjellë edhe një fluks pasagjerësh, të cilët kanë hyrë në Shqipëri përmes portit të Durrësit.

Numri i pasagjerëve në Durrës këtë të diel, ku kryesisht janë emigrantë shqiptarë që kthehen me pushime në pikun e sezonit turistik, parashikohet të shkojë afërsisht në 6000 persona.

Me 3 tragetet që hynë në këtë port në orët e para të ditës, kanë ardhur nga Italia rreth 3.166 pasagjerë me rreth 1.206 mjete.

Një ditë më parë në këtë port arritën rreth 4039 pasagjerë dhe 1456 mjete.

Duke e çuar numrin e pasagjereve për fundjavë që hynë në Shqipëri përmes portit të Durrësit  në rreth 10.000 vetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë