Gazeta Si – Një narkotrafikant shqiptar misterioz ka dalë në përgjimet e “Sky ECC” pas arrestimit të dhjetëra anëtarëve të organizatës kalabreze “Ndranghetta”.
Sipas mediave italiane, ai vijon të jetë në arrati, por ajo që dihet rreth shqiptarit, është se thirrej “Berluskoni” ose “Andreotti”, një referim për ish-kryeministrat e njohur të Italisë.
Ai është zbuluar falë ç’kodimit të aplikacionit “Sky ECC” dhe sipas përgjimeve, i ka shitur tonelata me kokainë një grupi kriminal në Itali. Një biznes prej 18 milionë eurosh, që shtrihet mes Lombardisë, Kalabrisë dhe Amerikës së Jugut.
Sipas hetimeve, ishte shqiptari “Berluskoni”, emri i të cilit ende nuk dihet, ai që i shiste kokainë Giuseppe Grillo-s, ose “Putinit”, një narkotrafikant në Itali.
Dy ditë më parë Guardia di Finanza nisi një operacion të madh në një qytet pak jashtë Milanos: 13 të dyshuar përfunduan në burg dhe tre janë nën “arrest shtëpiak”.
Operacioni dyshohet se zbuloi ekzistencën e një “marrëdhënieje midis përfaqësuesve të klanit Papalia-Carciuto, Marando-Trimboli dhe Barbaro ‘U Castanu ‘ndrine dhe një grupi kriminal me bazë në Camorra, një satelit i klanit Di Lauro të Napolit”, sipas hetuesve.
Duke filluar me Giuseppe Grillo, 51 vjeç, kunat i bosit të mafies Rocco Barbaro ‘u Sparitu, i akuzuar si truri dhe organizatori i një operacioni të gjerë trafikimi kokaine midis Italisë dhe Amerikës së Jugut.
Sipas hetuesve të Antimafias, ai ishte “Putini” i cili, nëpërmjet bisedave të koduara, menaxhonte tonelata kokainë në emër të bandës së trafikantëve Buccinasco të lidhur me klanin e fuqishëm Barbaro të Aspromonte të “Ndrangheta”-s.
Shifrat janë marramendëse: 655 kilogramë kokainë e importuar, 18 milionë euro të ardhura, një rrjedhë e vazhdueshme midis Milanos, Kalabrisë dhe Perusë, me paratë që udhëtojnë përmes sistemit bankar klandestin kinez, tani një sistem që u shërben trafikantëve të drogës në të gjithë botën.
Për Papalian, çmimi fiks ishte i garantuar dhe shumë i përshtatshëm: 32,500 euro për kilogram.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



