Rend dhe Ligj

Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri, 14 të arrestuar. Sekuestrohen snajperë, pistoleta, automatikë dhe granata

Gazeta Si- Një grup kriminal që trafikonte armë mes Kosovës dhe Shqipërisë është goditur në një operacion të përbshkët nga forcat e policisë së dy vendeve.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë Tiranë, bëhet fjalë për 14 persona të arrestuar, ku 8 janë nga Kosova dhe 6 nga Shqipëria, të identifikuar si: Euxhenio Manushi 20-vjeç, Endri Papa 34-vjeç, Aurel Manreka 28 vjeç, Gersi Llozha 22 vjeç, Kleu Muçalliu 26-vjeç; dhe Tonin Shkami 53-vjeç.

Vetëm këtyre u janë gjetur 22 armë zjarri pitolet tip "Zoraki", një armë zjarri AK 47, një granatë dore dhe 470 fishekë të llojeve të ndryshme.

Gjithashtu u janë kapur edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celularë. Ndërkohë, me datë 10 në Kosovë u arrestuan 8 anëtarë të grupit kriminal, të cilëve u janë kapur 29 pistoleta dhe 3 armë të gjata të modeleve të ndryshme të tipit snajper, 2.635 fishekë/municion të modelit të ndryshëm, 2 automjete dhe pajisje tjera.

Burime nga policia, bëjnë me dije se një nga anëtarët e bandës së trafikut të armëve në Tiranë, është dhe Euxhenio Manushi, djali i muzikantit të njohur Ad Sybardhit, i kapur para pak ditësh me Klajdi Serjanin me 1.5 kg kokaine në kryeqytet.

Në kuadër të këtij operacioni, janë kryer kontrolle në Tiranë, Ferizaj e Prishtinë. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim nga autoritetet e Shqipërisë dhe ato të Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar nga autoritetet shqiptare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe me ndihmën e EUROPOL, thuhet se shkatërroi pas mbi 9 muaj hetime, një grup kriminal të trafikut të armëve, aktiv në të dy shtetet.

Hetimet datojnë në muajin shkurt të këtij viti, ku rezulton se të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve ose materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti.

“Duke qenë se ky grup përbëhej nga shtetas nga Kosova dhe Shqipëria, institucionet e dy shteteve nënshkruan në qershor të këtij viti ‘Marrëveshjen për Themelimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor’, mbështetur nga EUROPOL dhe nga Projekti i EUROJUST për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe BE-së në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Nëpërmjet këtij ekipi, autoritetet shqiptare dhe kosovare mundën të bashkëpunonin shpejt dhe lehtë, duke shkëmbyer informacione në kohë reale”, tha Prokuroria.

Më datë 10.12.2024 rreth orës 21:00 dhe në vijim Policia e Kosovës në funksion të procedimit të përbashkët ka zhvilluar operacione policore ku ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar: 29 pistoleta dhe 3 armë të gjata të modeleve të ndryshme, 2635 fishekë/municion të modelit të ndryshëm, 2 automjete dhe pajisje tjera TIK. Ndërkohë që gjatë këtyre operacioneve u ndaluan/arrestuan 8 persona. Konkretisht shtetasit V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., dhe B.A.

Në koordinim me Policinë e Kosovës menjëherë rreth orës 03.00 e në vijim të datës 11.12.2024 nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në funksion të këtij procedimi u zhvillua operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për 6 persona dhe kontrolli i banesave për 7 vende. Gjatë këtij operacioni u ndaluan për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkëpunim të 6 personave: E.M 20-vjeç, E.P. 34-vjeç, A.M. 28 vjeç, G. Ll 22 vjeç, K.M. 26-vjeç; dhe T.Sh., 53-vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë