Lojëra me Dore

Tokio 2020/ Gjokoviç kalon në çerekfinale, zhgënjim i madh nga Tsitsipas

Numri 1 i tenisit botëror, Novak Gjokoviç, ka mundur pas dy setesh Davidoviç Fokina dhe është kualifikuar për në çerekfinale në Lojërat Olimpike të Tokios. Janë përcaktuar ndërkohë dy gjysmëfinalet e femrave, që janë Svitolina-Vondrousova dhe Bençiç-Ribakina.

Novak Gjokovic është gjithmonë e më afër medaljes së artë olimpike. Tenisti serb ka mundur 6-3 dhe 6-1 në 1/8-at shokun e stërvitjes në Marbela, spanjollin Davidoviç Fokina. Në gjysmëfinale ai do të ndeshet me Kei Nishikorin. Gjokoviç ka fituar medaljen e bronzit në 2008-ën, ai kërkon të thyejë rekordin e Stefi Graf, që në 1988-ën fitoi 4 turne Slam dhe medaljen e artë olimpike.

Zhgënjimi më i madh në tenisin e Olimpiadës ishte eliminimi i Stefanos Tsitsipas. Greku u mund 2-6, 7-6 dhe 6-2 nga francezi Humbert, që në çerekfinale do të përballet me Khaçanov. Ky i fundit mundi 6-1, 2-6 dhe 6-1 Shvartzmanin. Në çerekfinale ka kaluar edhe francezi tjetër Shardi, i cili do të ndeshet me Zverev. Në çerekfinalen tjetër, Medvedev, që eliminoi Fabio Fonjinin, përballet me Karreno Bustan.

Gjokoviç duhet të kthehet në fushë më vonë, bashkë me Nina Stojanoviç, pasi do të luajnë ndaj Marcelo Melo dhe Luisa Stefani të Brazilit në raundin e parë të dyshes mikse.

Te femrat, Elina Svitolina, e cila eliminoi Kamila Xhorxhin, do të sfidojë çeken Marketa Vondrousova në gjysmëfinale. Në gjysmëfinalen tjetër, zvicerania Belinda Bençiç do të luajë ndaj kazakes Elena Ribakina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë