Ka ndodhur

Tjetër aksident fatal në Tiranë, kamioni shtyp ‘Olsi Policin’, personazhin e njohur të Tik-Tok

Gazeta Si – Një këmbësor 32-vjeçar humbi jetën në Tiranë mesditën e të martës në një aksident rrugor, pasi u përplas nga një kamion.

Viktima është Oligert Dika, i cili njihet si Olsi dhe të gjithë përdoruesit e rrjetit social “Tik Tok” e njohin si “polic”, pasi gjithmonë qëndron në këtë zonë, duke treguar afrimitet me drejtuesit e mjeteve. Mësohet se i aksidentuari është dërguar në spital, ku ka ndërruar edhe jetë.

Policia thekson se mjeti i rëndë ka përplasur këmbësorin në rrugën “Kastriotët” në kryeqytet në rrethana ende të paqarta në zonën e njohur si rrethrrotullimi i Treshit në Kamëz.

Në platformën sociale janë të shumta videot ku 32-vjeçari shfaqej në rrugë duke ‘drejtuar’ trafikun, si të ishte polic i Rrugores. Në disa prej videove të postuara nga përdorues të ndryshëm në TikTok, 32-vjeçari shihet në rrugë, teksa mban tabelë e bilbil.

Ai ishte shndërruar në personazh në Tik Tok pikërisht për “profesionin” që siç duket e kishte me pasion. Edhe këtë të martë, Olsi ndodhej në rrugë, i veshur me jelek si ato të Policisë Rrugore e me tabelë në dorë, kur u përplas teksa ndodhej në vijat e bardha.

I riu është viktima e pestë në tre ditë, pas aksidenteve tragjike të shënuara në fundjavë në Librazhd, Tiranë te Astiri dhe Durrës, ku humbën jetën 4 persona.

Po sot në Korçë, drejtuesi i një motori mbeti i plagosur, pasi u përplas nga një automjet në afërsi të fshatit Bulgarec.

Menjëherë pas përplasjes, shoferi i makinës e ka transportuar vetë të plagosurin drejt spitalit të Korçës.

Ndërkohë, autoritetet policore ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur punën për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë