Ngjarje

Tiranë/ Harron 2 mijë paundë në taksi, shoferi ia dorëzon në polici

Kjo është një ngjarje vërtet e rrallë. Një 64-vjeçar që punon taksist në Tiranë, në përfundim të punës teksa po mbyllte makinën, është ndeshur me disa sende të harruara në sediljen e pasagjerit. Megjithëse orë e vonë, ai nuk ka hezituar aspak, por ka rimarrë sërish automjetin dhe ka përfunduar në polici për t’i dorëzuar si sende të humbura dhe para të humbura.

Megjithëse ngjarja ka ndodhur në datën 21 korrik 2021 në policinë e kryeqytetit dhe konkretisht pranë komisariatit numër 1, burimet e Gazetasi.al e bënë publik këtë rast vetëm mbasi u bindën se paratë që gjendeshin në çantën e harruar jo vetëm që i duheshin kthyer të zotit, por ato gjithashtu nuk ishin para të fituara në mënyrë të paligjshme prej tij.

Në procesverbalin e mbajtur shënim nga një oficer policie bëhet me dije se shtetasi Q.V., i padënuar më parë është paraqitur në komisariat dhe është prezantuar.

“Punoj taksixhi dhe po qarkulloja me mjet tek rruga e burgut kur një djalë që ishte me familjen e tij më bëri shenjë që të ndaloj. Sipas dëshirës së tyre dhe kërkesës që patën i çova tek Qendra “Toptani” dhe nuk zbrita nga taksia por i lashë klientët që sipas dëshirës t’i merrnin sendet e tyre nga bagazhi. Më pas vazhdova punën normalisht deri në orën 22.20 kur në bagazh pashë një çantë të zezë shpine, çantën nuk e preka dhe nuk e kam idenë se çfarë ka brenda” deklaroi shoferi i cili ka kërkuar që policia t’i marrë në dorëzim sendet brenda saj, që kur u hapën u pa që ishin vlera monetare. Policia përshkruan në shkresat që iu treguan Gazetasi.al se nga numërimi rezultoi se ishin 27 kartmonedha të valutës stërlina me prerje 20-she.

Megjithatë nga verifikimet në komisariate dhe në kërkim të shtetasit që çantën e harruar e kishte me iniciale F.P, mësohet se është rënë në gjurmë të pronarit të parave. Policia i thotë Gazetasi.al se rezulton që pronari i çantës me para kishte shkuar gjatë paradites në komisariat dhe kishte denoncuar humbjen e çantës që edhe ai dyshonte që e kishte harruar në makinë. Gazetasi.al e gjeti edhe deklaratën e të riut që rrëfen se çfarë ndodhi atë ditë dhe që më pas u befasua nga telefonata e komisariatit numër 1.

“Isha sëbashku me bashkëshorten, kunatën dhe vajzën dhe mbasi mbarova punë tek klinika në rrugën e burgut dolëm dhe morëm një taksi rastësore që po kalonte aty. Hipëm në taksi bashkë me familjarët dhe i thashë taksixhiut të na çojë tek qendra “Toptani”. Me vete kisha çantën e zezë me rroba fëmijësh brenda dhe ndoshta 2 mijë paund”, tha ai.

I riu pranon se mbasi ka nxjerrë karrocën nga bagazhi i taksisë nga nxitimi harroi çantën e zezë, brenda të cilës kishte valutën. Ai u kujtua pas disa minutash, që sipas tij ishte mesdrekë, diçka rreth orës 12.30.

“Mbaj mend që e kam marrë në mënyrë rastësore taksinë dhe nuk kam telefonuar ndonjë kompani, kam fiksuar që ishte taksi e verdhë dhe e tipit “Skoda”. Por nuk mbaj mend as targa, asgjë tjetër,” rrëfen i riu

Policia tregon se kur kontrolloi çantën e dorëzuar aty gjendeshin rroba fëmijësh dhe një kuletë brenda të cilës u gjetën paratë e humbura. Gjatë dorëzimit përshkruajnë oficerët për Gazetasi.al u konstatua se shoferi i taksisë me inicialet Q.V. nuk kishte prekur asgjë dhe se vlerat monetare dhe sendet personale ishin ashtu siç i kishte harruar i riu me inicialet O.T, që i kishte këto shuma nga kursimet familjare dhe ndaj nuk u konsideruan as si fshehje të ardhurash dhe as si pastrim parash


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë