Ngjarje

Tiranë-Durrës në karantinë edhe javës tjetër, 8 orë kohë për kë do që të kthehet

Tirana dhe Durrësit do të vijojnë të mbeten në shtetrrethim edhe përgjatë javës së ardhshme, ndërsa të gjithë ata që janë larguar nga dy qytetet në fjalë para orës 06:00 të së premtes, kanë një afat kohor të kufizuar për t’u rikthyer.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se masat ekstreme të lëvizjes në dy qytetet më të mëdha të vendit do të qëndrojnë në fuqi përtej mesnatës mes së dielës dhe të hënës, kur përfundon urdhri aktual në fuqi.

“Kush banon në Tiranë dhe Durrës dhe është laarguar për fundjave të gjatë në Korçë, ose gjetkë, të sigurohet që të hyjë në perimetrin e blinduar gjatë hapjes së rrugëve hyrëse pas mesnatës së të dielës dhe jo më vonë se ora 8 e mëngjesit”, shkruan Rama përmes një postimi në Facebook.

Kjo do të thotë se kushdo që kërkon të kthehet në Tiranë, apo në Durrës mund të bëjë këtë nga ora 00:00 deri në orën 08:00 të ditës së hënë.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157521730081523

Për banorët e tjerë që ndodhen në Tiranë e Durrës, kërkohet mirëkuptimi që të mos e shfrytëzojnë këtë orar për t’u larguar nga qytetet përkatëse.

“Kush banon në Tiranë dhe Durrës dhe është aktualisht brenda perimterit, të sigurohet që të mos planifikojë lëvizje jashtë perimetrit në fillimjavën e ardhshme duke shfrytëzuar hapjen e rrugëve nga e diela në mesnatë deri të hënën në orën 08:00, sepse mund të mos rihyjë më dot. Sipas të gjitha gjasave, perimetri Tiranë-Durrës do të mbyllet sërish”, thotë Kryeministri.

Më herët, Rama falenderoi qytetarët, që siç thotë kanë mirëkuptuar dhe zbatuar masat ekstreme kufizuese të vendosura si masë parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit.

Përmes një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale dhe të filmuar nga shtëpia e tij në Surrel, Kryeministri thotë se rastet e shkeljeve të kufizim-lëvizjeve në Durrës dhe Tiranë janë mjaft të pakta e sporadike.

“Do të jetë një luftë e gjatë dhe do të na duket shekullore, për ne që nuk jemi mësuar të rrimë mbyllur në shtëpi”, thotë Rama.

Për ata që shkelin masat e ndërmarra, sidomos duke qarkulluar me automjete, Kryeministri paralajmëroi humbjen e përhershme të lejes së qarkullimit rrugor.

Rama thotë gjithashtu se kufizimi i lëvizjeve dhe mbyllja në shtëpi është e vetmja rrugë. “Nëse nuk duam që të shkojmë si cjapi tek kasapi, sepse nëse nuk duam të bëhemi bashkëfajtorë në lëndimin apo larg qoftë në humbjen e jetës së të afërmve tanë, ne duhet të qëndrojmë në këtë rrugë duke luftuar pa pushim me forcat e zakoneve të jetës tonë”, deklaron ai.

Në mesazhin në fjalë, Kryeministri paralajmëroi edhe tregtarët që mund të abuzojnë me çmimet, duke i kërcënuar me heqje licence dhe të drejte tregtimi përjetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë