Ngjarje

Tentoi të mbronte qytetaren pas sherrit për parkimin, mësuesi vdes nga dhuna e fqinjit

Gazeta Si – Ndërmjetësimi për të shuar një sherr mes fqinjësh për vendin e parkimit, i ka marrë jetën një mësuesi në Tiranë.

Viktimë ka mbetur Nikolin Staka, 56 vjeç, ndërsa autori i dyshuar është Alban Meneri, 51-vjeç, i cili është arrestuar nga policia.

Ngjarja ka nisur për një vend parkimi mes Menerit dhe një gruaje mbrëmjen e 30 korrikut përballë shkollës “Sabaudin Gabrani” në kryeqytet.

Sipas burimeve të Gazetasi.al, viktima, ka parë nga ballkoni i katit të dytë të banesës ku jetonte, që Meneri po debatonte me një grua për një një çështje parkimi.

Ai ka pretenduar se vendi i parkimit ishte i tij. Në këto momente, ka ndërhyrë Staka, duke iu drejtuar nga lart Menerit me fjalët: “Çfarë bën, s’të vjen zor që zihesh me gra”.

Kjo ka sjellë dhe zemërimin e Menerit, i cili i është drejtuar fqinjit me fjalët: “Zbrit poshtë se ta tregoj unë”.

Por vendimi për t’u sqaruar ka rezultuar fatal, pasi 51-vjeçari ka nisur ta qëllojë Nikolin Stakën me grushte në kokë, fytyrë dhe qafë e është larguar.

Dyshimet janë që Staka ka gjetur vdekjen në banesë për shkak të hemorragjisë nga goditjet. Sipas burimeve të Gazetasi.al, autori nuk është një emër i panjohur për Policinë e Tiranës.

Edhe në vitin 2020, Meneri është shoqëruar në polici për shkak të një rrahjeje ndaj një personi për vendin e parkimit para banesës.

Mësohet se viktima me profesion mësues ka lindur në Laç. Ai banonte prej pak kohësh në një apartament me qira në Tiranë, pasi ishte kthyer nga Belgjika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë