Ka ndodhur

Greqi, shqiptari vret bashkëshorten me thikë. Arrestohet pas disa orësh

Gazeta Si - Një 49-vjeçar shqiptar është arrestuar, pasi ka goditur me thikë bashkëshorten e tij 41-vjeçare, e cila ka ndërruar në spitalin e Zakinthosit në Greqi.

Sipas mediave greke, pas një sherri emigranti shqiptar në Greqi ka dhunuar rëndë gruan e tij dhe më pas e ka goditur me thikë disa herë në gjoks dhe në qafë.

Fatkeqësisht, gruaja nuk u ka rezistuar dot plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë disa momente më vonë në spital. Çifti ka tre fëmijë, dy të mitur, dhe një djalë të rritur që jeton jashtë Zakinthos.

Viktima ka paditur në të kaluarën dy herë bashkëshortin për dhunë në familje.

Padia e parë është bërë më 18 qershor. Mësohet se autoritete greke kishin lëshuar masë mbrojtjeje për 41-vjeçaren, që bashkëshorti mos t’i afrohej deri në 100 metra.

Megjithatë, pas një kohe ai u lejua të kthehej në shtëpi. Por, ditën e djeshme viktima ka ngritur një padi të re ndaj tij për të njëjtën arsye dhe pas 30 minutash bashkëshorti i mori jetën.

Fqinjët kanë dëgjuar zëra dhe kanë njoftuar policinë, ndërsa viktima u gjet e zhytur në një pellg gjaku në ballkonin e shtëpisë, me shumë shenja dhune dhe mavijosje në trup.

Një fqinje ka raportuar se e ka parë atë duke e tërhequr për flokësh gruan e tij dhe duke i thënë, “do të të vras”.Autori i arrestua nga policia pas disa orë kërkimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë