Ngjarje

Tiranë, 2-vjeçarja digjet nga i vëllai me cigare në trup! Përfundon në spital pas infektimit të plagëve

Gazeta Si - Një vajzë 2-vjeçare është shtruar në QSUT në Tiranë, pasi është paraqitur në Urgjencën e Pediatrisë me djegie cigareje në disa pjesë të trupit.

Nga hetimet që policia ka kryer deri tani, del se shenjat janë shkaktuar nga vëllai i saj 9 vjeç pa një arsye të qartë.

Sipas burimeve paraprake, e mitura është dërguar nga halla në spital, pasi ishte e ftohur. Por mjekët kanë vënë re djegie në qafë, si edhe shenja në sqetull dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

Menjëherë kanë njoftuar policinë dhe kanë nisur hetimet. Nga ekzaminimet e mjekësisë ligjore rezulton se djegia në qafë është shkaktuar me cigare nga i vëllai i saj 9-vjeçar, i cili po luante.

Shenjat e tjera sipas të dhënave paraprake të mjekësisë ligjore dyshohet se vijnë nga sëmundje të lëkurës.

“Ditën e djeshme, është paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalin “Nënë Tereza”, e shoqëruar nga nëna e saj, një e mitur 2 vjeçe, të cilën e ka djegur aksidentalisht (duke luajtur me një bisht cigare) vëllai i saj i mitur 9 vjeç”, raportoi policia në njoftimin e saj për mediat.

Djali është marrë në pyetje në praninë e psikologut dhe ka pranuar se ai është shkaktari i shenjave, pa një sqarim të qartë se pse.

Në pyetje janë marrë edhe halla dhe prindërit e vajzës. Fillimisht policia ka pasur dyshime për autorin e djegieve, por pas veprimeve hetimore ka rezultuar se vajza e vogël nuk është dhunuar nga persona të tjerë.

Autoritetet kanë kryer 2 ekspertiza mjeko-ligjore, e para për të përcaktuar nga çfarë janë shkaktuar shenjat, që ka rezultuar nga cigarja dhe e dyta mundësia e një abuzimi seksual të mundshëm.

Pas ekspertimit ka rezultuar që vajza nuk është dhunuar seksualisht. Ndërkohë, shenjat që e mitura ka në trup, për shkak se nuk janë mjekuar për ditë me radhë, dhe kruajtjeve nga dhimbja, janë përhapur duke u infektuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë