Ngjarje

Tirana probleme me ujin e pijshëm, UKT: Po furnizojmë me bote 200 abonentë në pikat fundore

Nga Gazeta Si- Thatësira dhe temperaturat e larta kanë sjellë reduktim të sasisë së ujit të pijshëm në depo si pasojë e rënies së prurjeve të burimeve.

Në një prononcim për Gazetasi.al, burimet zyrtare në UKT bëjnë me dije se rënia e prurjeve ka sjellë probleme në zonat të cilat ndodhen në pika fundore apo në kuotat më të larta.

Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës thotë se bëhet fjalë për afro 200 abonentë të cilët mund të ndikohen nga ulja e presionit të furnizimit, nga konsumi i lartë si dhe nga sistemi i rrjetit hidraulik i cili është i hapur dhe jo unazor.

“Qyteti i Tiranës, aktualisht, ka një regjim normal furnizimi duke marrë në konsideratë faktorët si temperatura e lartë dhe shtimi i konsumit nga ana e abonentëve. U.K.T ka suportuar përherë abonetët e saj, në rastet e mungesave të ujit duke i furnizuar me mënyra alternative”, thonë burimet nga drejtoria e Ujësjellësit të Tiranës.

Sipas informacioneve të UKT, burimet kryesore që furnizojnë kryeqytetin janë burimet natyrore ujore si Burimi Selitë, burimi Shën Mëri dhe Impianti Bovillë.

Por, përveç thatësirës si pasojë e të nxehtit, shkak për reduktimin e sasisë së ujit në rrjet bëhen dhe lidhjet e paligjshme, për të cilat UKT thotë se vijon kontrollet për vënien para përgjegjësisë të subjekteve përgjegjëse.

“Rastet e abuzimeve si ndërhyrjet në rrjetin e furnizimit me ujë, pa miratimin paraprak të U.K.T janë objekt kontrolli të punës së përditshme. Për çdo rast të konstatuar është proceduar sipas legjislacionit në fuqi duke marrë në konsideratë shkeljen, duke kryer ndërprerjen e lidhjes së paligjshme, marrjen e masës administrative (gjobë) si dhe janë zbatuar procedurat e ndjekjes penale të abuzuesit bazuar në “KODI I FURNIZIMIT ME UJË DHE KANALIZIMEVE”, thonë burimet në UKT.

Në lidhje me premtimin e qeverisë për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, kryeqyteti duket se do të vijojë edhe për pak kohë të furnizohet me orare, deri në përfundimin e investimeve të nisura, që do të përmbushin këtë objektiv të vjetër.

“Një ndër objektivat primar dhe strategjik të Ujësjellës Kanalizime Tiranë është furnizimi me ujë 24/7 për qytetin e Tiranës.

U.K.T Sh.A, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtar, është duke punuar për finalizimin e projekteve tona strategjike si : “Unaza e Presionit”, “Mini Zonat”, “Përdorimi i Burimit të Gurit të Bardhë”, të cilat do të sjellin furnizim pa ndërprerje për qytetin e Tiranës”, thonë burimet zyrtare të UKT-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë