“Ja ky djali këtu që po pi cigare është pa maskë, unë pse ta mbaj maskën, kjo të merr frymën,” thotë Lindita, një grua e dobët dhe e gjatë e cila shtrembëron fytyrën dhe i duket e padrejtë që tëmbajë maska në rrugë.
Ndërkohë djali që dëgjon kthehet dhe me arrogancën që hera herës i karakterizon “ata që nuk zbatojnë ligjet” thotë “Ca ja fut kot, se kush do i mbajë maskat, do rrimë të dëgjojmë këta, edhe këtë kot e mbajmë sa për autobusin”, i cili e mban maskën poshtë pjesës sëmjekrës.
Por djaloshi i ri i pabindur nuk është i vetmi i cili po anashkalon ligjin e ri për mbajtjen e maskave. Të shikosh rreth e rrotull në zonën e “Mistomames”, nuk shikon asnjë njeri që të ketë maska duke ecur në rrugë, policët e kontrollit duket se ende nuk kanë ardhur në këtë zonë.
“Po shef naj polic këtu ti të kontrolloj, jo asnjë nuk ka, e kush do e zbatoj ligjin këtu aman. Pastaj kur tjetri nuk e mban, ligji nuk është vetëm për mua,”shton më tej Linda gruaja që pret me padurim autobusin.
Të mërkurën gjatë paradites ishe Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, qëkonfirmoi lajmin se maska ishte e detyrueshme edhe në ambientet e jashtme të shtëpisë pasi shifrat janë rritur ndjeshëm dhe kjo do të ishte një masë frenuese.
Sipas Fico, maska duhej mbajtur edhe në rrugë edhe në parqe dhe pretendimi i autoriteteve është që të ulen shifrat e të infektuarve, një pretendim që ka nisur që prej kohës kur ka nisur pandemia e Covid-19 në vendin tonë.
Por duket se qytetarët nuk e kanë vënë shumë ujin në zjarr as për rregullat dhe më e keqja as për virusin. Disa prej tyre që kalojnë në rrugën kryesore të zonës së Yzberishtit, as që nuk e dinë se dje Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik ka dalë në një konferencë për shtyp për të përcaktuar masat e reja.

“Mos më nga me këto të keqen xhaxhai, se nxitoj të iki tek vajza në spital. Kam vajzën sëmurë,” thotë një tjetër kalimtar në këtë zonë që në ato momente nuk e kishte mendjen as të maska, as të vendimet. Ajo çfarë shihet në këtë rrugëështë se qytetarët të cilët vrapojnë nëpër punët e tyre, nuk kanë interes shumë për ligjet, edhe pse siç dihet janë rregullatorë në mbrojtje të tyre.
Një vajzë e re kalimtare e cila mban maskën thotë se ato çfarë kemi lexuar na kanë bërë të kuptojmë. Maska duhet kështu që s’kemi pse të mos e mbajmë.
“Unë mbroj veten, mbroj prindërit e mi dhe e kam mbajtur gjatë gjithë kohës maskën, edhe në rrugë por edhe në zyrë. Është një siguri më shumë për mua,” thotë ajo, ndërkohë që ecën.

Por si ndikon maska për mbrojtjen ndaj Covid-19?
Mbajtja e maskave u shpall e detyrueshme fillimisht në Kinë nga ko nisi e gjithë saga e pandemisë së Covid-19 dhe tashmë edhe pjesa tjetër e botës po ndjek të njëjtin shembull. Sipas autoriteteve, kohët e fundit, maska shërben që tëmbrojë qytetarët nga spërklat e pështymës dhe të teshtitjes, të cilat sic dihet janë një ndër faktorët kryesore për kalimin e virusit nga një person tek një tjetër. Logjika e detyrimit për mbajtjen e maskës është se nëse të gjithë i përmbahen këtyre rregullave ulet ndjeshëm rreziku i infeksionit.
Por, dyzimi për mbajtjen e maskave ështëajo çfarë i ka konfuzuar njerëzit dhe tashmë nuk po dinë të ndjekin as rregullat. Duke nisur që nga njoftimet e ndërkombëtarëve dhe të autoriteteve shëndetësore në vendin tonë, çdo gjë ka bërënjerëzit që të mos kenë më besim në atëçfarë po ndodh.
Në fillim të pandemisë në vendin tonë, ishte pikërisht Kryeministri Edi Rama i cili tha se njerëzit nuk duhet të harxhonin lekë për maska sepse ato nuk të mbrojnë, kjo e mbështetur nga protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërkohë që nëse e kujtojmë aso kohe pati një mungesë të madhe maskash në farmacitë kudo në vend.
Por pas muajve të karantinës këto ide u hodhën poshtë dhe një akt normativ ndryshoi gjithçka për maskat. Pikërisht në datën 15 korrik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se akti normativ i ri do të detyronte përdorimin e maskave, qoftë kirurgjikale, qoftëprej tekstili “në të gjitha ambientet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, supermakatat, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, tregjet dhe njësitë e shërbimit”
“Po nuk dimëçfarë të bëjmë, një herë thonë mbaje maskën, një herë thonë mos e mbaj. Nuk po dimë as çaështë e mirë dheçaështë e keqe,” konfirmon një tjetër qytetar në rrugën përgjatë zonës së quajtur “Pallati me Shigjeta”.
Ndërkaq, në zonat më afër qendrës shikon një tjetër pasqyrim të ligjit dhe të kujdesit. Duket se njerëzit janë më të ndërgjegjësuar dhe mbajtjen e maskës e shohin si njëdetyrim që i mbron njerëzit.

Zydihu një kalimtar në rrugën “21 Dhjetori” i tha Gazetës “Si” se maska është një detyrim moral fillimisht, e më pas ligjor.
“Maskën duhet ta mbajmë se mbrohemi për vete në rrallë të parë, pastaj tjetrin. Unë kam lexuar që kemi përhapje komunitare që do të thotë se nuk e dimë nga e marrim virusin tashme. Dje lexova prape në internet se imuniteti i tufës nuk funksionon kështu që e vetmja zgjidhje që shoh unë të arsyeshme është maska. Ajo çfarë na mungon janë kontrollet. Shikon ndonjë polic në rrugë ti?” shton më tej Zydihu i cili i tregoi Gazetës “Si” qëështë mësues në profesion.
Ndërkohë njerëzit pa maska që qëndrojnë në lokale në këtë zonë i bëjnë kashirllik atyre që janë jashtë. Në një lokal aty pranë një djalë i ri i cili ishte brenda një lokali në këtë zonë dhe dukej se po punonte, po i thoshte një miku të tij që po kalonte në rrugë “eh shpëtuam ne, ja rrimë këtu dhe jemi rehat”, ndërkohë që maska e tij ishte nën mjekër. Sa më shumë i largohesh qendrës dhe i afrohesh periferisë, aq më shumë shikon njerëz që nuk mbajnë maska, aty njerëzit mendojnë se polici nuk vjen kaq larg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







