Interviste

Tirana drejt imunitetit të tufës, epidemiologu Alimehmeti: Masat shtrënguese s’bënë punë

Në një intervistë për Gazetën "Si" për sa i përket situatës së Covid-19 në vendin tonë, epidemiologu Ilir Alimehmeti ka shpjeguar se pritet që vendi ynë të ketë një përkeqësim të situatës, duke u bazuar në të dhënat ditore sa që kryeqyteti është drejt imunitetit të tufës. Ndërkohë ai shprehet se masat e marra duhet të jenë të drejtuara më shumë nga moshat e rriskuara.

Sipas këndvështrimit tuaj, në çfarë gjendje është vendi ynë për sa i përket ngarkesës virale të Covid-19?

Përsa i përket situatës, ne jemi duke shkuar drejt pikut, kështu që pritet që çdo infekdion respirator plus Sars-COV-2,të rëndojë situatën. Do ketë më shumë njerëz të infektuar dhe imuniteti bie me ftohjen e motit. Duke shkuar drejt dhjetor-janarit do të kemi një situatë që do të përkeqësohet , që do të stabilizohet më pas në pranverë. Kjo është situata është komplet fizologjike dhe pritet për çdo lloj virusi. Nga krahu tjetër, ky virus të paktën në Tiranë ka xhiruar në mënyrë të gjerë, pra është në nivel komunitar. Jemi duke ecur dita-ditës drejt komfortit të imunitetit të tufës, jemi ende larg për çdo përqindje që shtohet dita-ditës ndikon.

Duke u bazuar të dhënat e deritanishme, mendoni se do të kemi një përkeqësim të situatës?

Për këtë koncept jo të gjithë numrat që ne shohim janë numrat e vërtetë, sepse hetimi epidemiologjik gjen vetëm një fraksion. Nëse shohim 700-800 raste në ditë duhet të konceptojmë se ka më shumë raste. Tani jemi duke folur në mijëra raste në bazë ditore.

Fakti që numri i të infektuarve është shtuar, mendoni se nuk kanë funksionuar masat?

Jo detyrimisht, sepse ju e dini që masat tona janë të ulta. E rëndësishme është që të shohim konceptet pse vendoset një masë. Nuk ka qenë kurrë e udhës që masat të vendosen për të evituar rastet e reja. Masat vendosen për të lejuar spitalin të japi shërbimin mirë dhe për të ulur mundësisht vdekjet, ky është qëllimi përfundimtar. Si ulet vdekshmëria? Ne e dimë tashmë që jo të gjithë vdesim njëlloj, kryesisht vdesin moshat e vjetra, atëherë duhet të vendosim masa që prekin në mënyrë direkte moshat e vjetra.

Për shembull, mbajtja e maskave në ambiente të hapura, nuk solli efekt gjë e cila pritej. Por arsyeja kryesore bazë nuk është nëse funksionon apo jo maska, por është arsyeja se 67% e infektimeve ndodhin brenda në familje. 25-30% ndodh në administratë ku maska ka qenë e detyrueshme që në korrik, kështu kjo masë nuk ishte një masë që kishte efekt.  E dyta  bllokimi i orarit 10 me 6, e kemi shumë të qartë që moshat e vjetra nuk janë në qarkullim, kështu që është një masë që nuk shkon dhe duke qenë se 67% e rasteve janë në familje dhe 25-30% në administratë, sërish orari nuk pritet të ketë efekt të madh, kështu që ky është diskutimi.

Duhet të fillojnë masa që bllokojnë të moshuarit, pra personat mbi 60 vjeç e sipër. Këta persona duhet të punojnë nga shtëpia nëse janë gjendje pune, nëse janë pensionistë të izolohen sa më shumë, mund të vendosim dhr orarin ku duhet të lëvizin. Pra të gjithë sytë duhet të jenë tek ata, moshat e vjetra dhe me shumë sëmundje.

Sa duhet të jetë numri i të infektuarve në ditë për të marrë masa shtesë shtrënguese?

Nuk ka rëndësi, ka rëndësi gjendja klinike e tyre, sa prej tyre kanë nevojë për spital dhr sa prej tyre ndërrojnë jetë. Si rrjedhojë ne duhet të shohim gjendjen e tyre. Në fakt ne nuk e kemi pasur kurrë të deklaruar gjendjen klinike të pacientëve, sa përqind e tyre kanë qenë asimptomatik, sa kanë qenë të sëmurë lehtë, sa kanë qenë të sëmurë rëndë. Pra nuk e kemi dhe duke qenë se nuk e kemi nuk mund ta themi dot.  E dimë që grupmoshat e vjetra janë më të infektuara për rrjedhojë ne duhet të dimë se kur kemi 800 raste në ditë sa prej tyre janë të moshuar. Kjo është e rëndësishme, sepse kjo do të na bëjë të kuptojmë sa persona duhet të shtrohen në spital dhe në fund fare të ruajmë kapacitetet spitalore.

Në botë ka nisur një debat për sa i përket vaksinës, se kush duhet ta marrë më parë atë. Duke nisur nga rrethanat specifike të Shqipërisë, cilët duhet ta marrin më parë, përveç mjekëve?

Së pari duhet të presim sepse të dhënat e vaksinës nuk janë ende të plota.  Janë jo përfundimtare, sidomos të dhënat mbi sigurinë. FDA kërkon një ndjekje prej dy muajsh për sigurinë, për të marrë një shqyrtim të asaj që quhet autorizimi i emergjencës. Kur t'i kemi këto të dhëna duhet të fillojmë të diskutojmë, sepse së pari duhet të dimë që kjo vaksinë është e sigurtë.  Së dyti kemi dy kandidatë që kanë dhënë të dhëna për efektivitetin e deritanishëm. Njëra thotë 94.5%, njëra thotë 95%, por duke bërë llogaritë në vlerë praktike më shohim që kemi një indeks tjetër që masim që është numri i njerzve që duhen vaksinuar, për të evituar një infeksion të vetëm (NTV).  Në vaksinën e Pfizer ky numër është 153, që do të thotë se duhet të injektojmë 153 veta që të evitojmë një rast me Covid. Në rasin e Modernas ky numër është 176.

Përsa u përket rasteve të rënda llogaria për vaksinën e Pfizer del 3633 që do të thotë se duhet të vaksinojmë kaq persona që të evitojmë një rast të rëndë të Covid-19. Nuk janë shifra ideale, janë shifra që nuk na pëlqejnë. Patjetër është i vërtetë efikasiteti 95%, por duke qenë se sëmundja prek një përqindje të ulët të popullatës sa e kanë ndjekur ata vaksinën si rrjedhojë del dhe ky numër kaq i lartë i NTV. Do presim sepse me kalimin e kohës ky numër mund të ulet. Duhet të presim të dhënat përfundimtare. Derisa të vijë në Shqipëri, do të kalojnë muaj dhe mendoj se kjo nuk do të ndodhë më parë se pranverë-vera e vitit që vjen, në qoftë se gjithçka funksionon si duhet dhe me shumë gjasë deri në atë periudhë një përqindje shumë e rëndësishme e Shqipërisë do ta ketë kaluar në një mënyrë, apo në një tjetër Sars-COV-2. Shumica besoj se do e ketë kaluar lehtë. 

Kategoria e dytë që duhet ta marri janë moshat e vjetra me sëmundje kronike, por kuptohet fillohet nga moshat e vjetra që nuk e kanë kaluar infeksionin, sepse tashmë e dimë që kush e ka kaluar, krijon një imunitet të atillë që e mbron me vite. Kjo nuk është e sigurt, por ajo çfarë kemi të sigurt është se infeksioni nuk ndodh vit për vit. Ju e dini që kemi pasur dhjetra raste të konfirmuara në pranverë, nëse infeksioni do të ndodhte vit për vit ata do të ishin riinfektuar dhe do të kishim miliona riinfektime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë