Ngjarje

Bandat e trafikimit të klandestinëve edhe në TikTok, reklama e ikjes së shqiptarëve drejt Britanisë për 5500 paund

Gazeta Si- Trafikantët e qenieve njerëzore po reklamojnë shërbimet e tyre për t'i çuar emigrantët shqiptarë përmes Kanalit Anglez me anije në TikTok, duke paguar deri në 5,500 paund.

Një investigim i mediave britanike ka zbuluar dhjetëra llogari shqiptare në platformën TikTok që “mburren” me kalimin me sukses të burrave, grave dhe fëmijëve nga Shqipëria në Britani.

Njëra nga llogaritë inkurajon azilkërkuesit që t'u dërgojnë një mesazh përmes WhatsApp me një numër kontakti në Mbretërinë e Bashkuar të postuar në video.

Një tjetër tregon gomonet mbi të cilat ndodhen emigrantët e paligjshëm në udhëtimin prej 33 kilometrash. Në video jepen edhe pamjet e njerëzve që ngjiten në gomone si edhe detaje për udhëtimin, si datat e kalimeve.

Klipet japin një pamje paraprake të udhëtimit duke filluar në Shqipëri, më pas në Bruksel në Belgjikë, përmes Francës, duke përfshirë Parisin, Lille dhe Durkerque përpara se të postojnë një hartë të bregdetit, duke thënë "ujë". Shpeshherë pjesë të videove bëhen edhe emigratët të cilët pozojnë duke qeshur.

Trafikantët arrijnë deri aty sa postojnë edhe fotografi nga Anglia, si për të treguar se udhëtimi u mbyll dhe emigrantët kanë arritur të sigurt në destinacion.

Në një postim të muajit të kaluar shkruhej me mburrje “Sot kaluam tre gomone me 60 persona”. 5.500 paund një rrugë. Ne jemi grupi më i fortë”.

Një postim i ngjashëm thoshte: “Ne jemi grupi më i mirë për të kaluar njerëzit. Çmimi është 5000 paund, DM për itinerarin tjetër”.

Një tjetër shkruan: “Vetëm për 4000 paund, çfarë po pret? Niseni sot, nesër, cdo ditë, kontaktoni në DM”.

Trafikantët i quajnë këto lëvizje “linja” duke bërë një njoftim tipik linje. "Linja e drejtpërdrejtë çdo ditë Francë - Angli në orën katër".

Një nga videot e postuara pretendonte se do t'i çonte të interesuarit nga Brukseli në Britani për 4,550 paund në "vetëm një ditë".

Gjithashtu janë me fat ato që kapin ofertat ku postime të ndryshme bëjnë “ulje verore” 3500 paund për klientët.

Sipas mediave britanike, 696 persona kanë kaluar Kanalin me varka të vogla ditën e hënë (1 gusht), numri më i lartë në një ditë të vetme deri më tani për këtë vit.

Videot e postuara në TikTok bien ndesh me rregullat e platformës, të cilat përcaktojnë se përdoruesi "nuk duhet të postojë, transmetojë drejtpërdrejt ose të shpërndajë në ndonjë mënyrë tjetër përmbajtje në platformë që përbën, inkurajon ose jep udhëzime për një vepër penale, ose aktivitete të rrezikshme që mund të çojnë në lëndim ose vdekje”.

Një zëdhënës i TikTok tha se “po shqyrtohen përmbajtjet dhe llogaritë e përfshira në vepra të paligjshme dhe deri më tani ka bllokuar 4 llogari që kanë përmbajtje të paligjshme”.

Burimet: GB News, Protothema. Përshtati: Gazeta "Si".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë