Ngjarje

TI: Shqipëria, vendi më i korruptuar i Ballkanit

Raporti i ri i Transparency International, një organizatë ndërkombëtare joqeveritare anti-korrupsion me qendër në Berlin, ka treguar nivelet e korrupsionit në sektorin publik për vendet e Ballkanit. Nga lista e zyrtarizuar në këtë raport, rezulton që të gjitha vendet janë më poshtë se mesatarja për sa i përket pikëve.
Nga të gjitha vendet Shqipëria ka rezultatin më të keq të shteteve të Ballkanit, e ndjekur më pas nga Kosova dhe Maqedonia.

“Është veçanërisht shqetësuese që në të gjithë rajonin shohim ndërhyrjet e qeverive që po dobësojnë sistemin e kontrolleve dhe balancave, thelbësore për përpjekjet e suksesshme kundër korrupsionit dhe funksionimin e demokracisë,” tha Lidija Prokiç zëdhënësja e Transparency International për Ballkanin.
“Në vend të kësaj të drejtat qytetare dhe politike janë të kufizuara dhe llogaridhënia e qeverive po bëhet gjithnjë e më e vështirë,” shton ajo.
Prokiç theksoi gjithashtu se angazhimi për demokracinë dhe sundimin e ligjit duhet të përmirësohet në të gjithë rajonin. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit në vitin 2018 i botuar të martën e kaluar, tregoi nivelin e korrupsionit në sektorin publik në 180 vende dhe territore.

Lidija Prokiç, zëdhënësja e Transparency International për Ballkanin

Pikët fillonin nga vendet me pak të korruptuara deri tek vendet më shumë të (0-100). Vlerësimi u tregua në bazë të vlerësimeve të eksperteve të ndryshëm të komuniteteve të vendeve dhe sondazhet me opinionet e qytetarëve.
Shqipëria kishte një rezultat prej 36 pikësh, duke u ndjekur më pas nga Kosova dhe Maqedonia me 37 pikë.
Prokiç tha se Shqipëria ka pësuar një rënie prej dy pikësh që nga viti i kaluar, nga 38 pikë ka arritur në 36. Sipas saj, ky rezultat ngre shqetësime në lidhje me përparimin e mëtejshëm të vendit, por shtoi se me verifikimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve në vend dhe kornizën institucionale anti-korrupsion pothuajse të plotë, mbetet për t’u parë nëse institucionet shqiptare do të ndryshojnë në vitet e ardhshme.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se edhe Kosova ka pësuar të njëjtën rënie, për shkak të mungesës së përgjegjësive të zyrtarëve publikë që mbeten në çështje kryesore për vendin, së bashku me kërcënimet e gazetarët që hetojnë korrupsionin dhe nevojën për transparencë në financimin e partive politike.
Ndërsa për rastin e Maqedonisë Prokiç theksoi se mosmarrëveshja e emrit me Greqinë fqinje ka sjellë një mori ngjarjesh korrupsioni nëpër institucione pasi vëmendja ka qene te ky pakt.
Bosnja kishte një rezultat prej 38 pikësh, ndërsa Serbia kishte pësuar një rënie prej dy pikësh, nga 41 pikë ka arritur në 39, një rezultat që e kthen pas në kohë në renditjen e vitit 2012.
"Përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë serbe për të rritur ndikimin e saj mbi gjyqësorin dhe për të zvogëluar aksesin e informacionit, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga OJQ-të, shoqatat profesionale dhe mediat, është shumë dekurajues dhe presioni i vazhdueshëm ndaj mediave janë një shqetësim serioz," tha Prokiç.
Për Bosnjën ajo tregoi se vendi duhet të përmirësojë atmosferën e fushatës zgjedhore dhe kushtet e të drejtave të njeriut.

Shteti ballkanik që u cilësua me nivelin më të ulët të korrupsionit ishte Mali i Zi, me një rezultat prej 45 pikë. Ndërsa mes shteteve anëtarë të Bashkimit Europian, vendet me nivelin me të lartë të korrupsionit u cilësuan Bullgaria, me 42 pikë, Rumania me 47 dhe Kroacia me 48.
Rezultatet e raportit treguan se Rumania dhe Bullgaria kanë bërë njëfarë progresi gjatë vitit të fundit, të dyja kanë pësuar rënie të pikëve, që prej vitit 2017, kur Bullgaria u përfshi nga situata masive korrupsioni në institucione, ndërsa Rumania përjetoi protesta të shumta kundër korrupsionit.
Sipas Prokiç, Rumania dhe Bullgaria janë ende të monitoruara nga mekanizmi i verifikimit të bashkëpunimit të BE (CVM), i cili monitoron nëse të dy vendet po përmbushin angazhimet e reformës anti-korrupsion dhe të reformës gjyqësore.
Ndërsa në rang global, shtetet të cilët rezultuan me nivelin më të ulët të korrupsionit janë Danimarka, me 88 pikë dhe Zelanda e Re, me 87 pikë. Nga ana tjetër, Somalia me 10 pikë, Siria dhe Sudani i Jugut me 13 pikë janë në fund të listës, duke u cilësuar si shtetet me nivelin më të lartë të korrupsionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë