Media Galeri

Thatësira kërcënon Italinë, kanalet e Venecias mbeten pa ujë

Kanalet në Venecia, të cilat normalisht përballen me përmbytje, pothuajse janë tharë, duke e bërë të pamundur lundrimin e gondolave nëpër kanale. Moti ka shtuar shqetësimet se Italia mund të përballet me një tjetër thatësirë nga ajo e verës së kaluar.

Venecia po përballet me batica jashtëzakonisht të ulëta, gjë që po i pengon gondolat, taksitë e ujit dhe ambulancat të lundrojnë në disa nga kanalet e saj të famshme.

Problemet në Venecia janë shkaktuar nga një sërë faktorësh, si mungesa e shiut, një sistem me presion të lartë, një hënë e plotë dhe rrymat detare, shkruan Reuters.

Lumenjtë dhe liqenet italiane, veçanërisht veriu i vendit, kanë probleme me mungesën e theksuar të ujit, njoftoi grupi mjedisor Legambiente.

“Ne po përballemi me një mungesë uji që po rritet nga dimri i viteve 2020-2021,” tha eksperti i klimës Massimiliano Paschi i institutit italian të kërkimit shkencor CNR, raportoi Corriere della Sera.

“Ne kemi nevojë për 50 ditë shi”, shtoi ai.

Në dy javët e fundit, temperatura që ka mbizotëruar në Evropën Perëndimore ka qenë e butë, e zakonshme për një fundpranverë.

Javët e motit të thatë gjatë dimrit kanë ngritur shqetësimet se Italia mund të përballet me një thatësirë ​​tjetër pas urgjencës së verës së kaluar, me Alpet që marrin më pak se gjysmën e reshjeve normale të borës, sipas shkencëtarëve dhe grupeve mjedisore.

Megjithatë, sipas parashikimit të fundit të motit, është e sigurt që në ditët në vijim do të ketë reshje shiu dhe bore shumë të nevojshme në Alpe. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë