Interviste

Thaçi: Kosova nuk ka të ardhme pa marrëveshje me Serbinë

Diskutimet për shkëmbimet territoriale midis Kosovës dhe Serbisë, gati dy dekada pas konflikteve të përgjakshme, kanë ndezur sërish frikën për ndryshimin kufijve në mbarë Ballkanin.  Një nga “misionarët” më të mëdhenj të kësaj teze, Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë ditën e sotme një intervistë ku shprehet se marrëveshja me Serbinë është shpresa e vetme për rrugën euroatlantike të Kosovës. Ai ka këmbëngulur për “korrigjimin e kufijve”, por pavarësisht insistimit të reporterit të  nuk ka sqaruar se çfarë do të nënkuptonte konkretisht një marrëveshje e tillë. Sipas kreut të shtetit të Kosovës, komunat përreth Luginës së Preshevës kanë shprehur tanimë vullnetin për t’u bashkuar me Prishtinën. Thaçi shprehet se po punon për të ardhmen e brezit të ri dhe të ndërtuar një arkitekturë paqeje në mbarë Ballkanin, por deklaron se BE-ja ka vështirësuar rrugën euroatlantike të Kosovës duke mbajtur peng procesin e liberalizmit të vizave. Sipas kreut të Kosovës, unioni europian po tregohet i padrejtë, duke mos vlerësuar përkushtimin e madh të Prishtinës.

Si e shihni të ardhmen e integrimit europian të Kosovës? Ka shumë që mendojnë se Kosova ka mbetur shumë prapa këtë proces por kjo mund të ndryshojë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Cili është mendimi juaj për këtë?

Kosova po zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, e cila është pjesë e procesit të integrimit. Ekziston një listë e gjatë e reformave që duhen për të miratuar dhe zbatuar. Qeveria dhe të gjitha institucionet po punojnë intensivisht për të siguruar përparimin e besueshëm dhe të qëndrueshëm drejt anëtarësimit europian. Por duhet bërë më shumë. Përsa i përket të ardhmes së anëtarësimit në BE, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë rrugën e hapur, por asnjëri prej nesh nuk do të jetë në gjendje të bashkohet me familjen europiane përpara se të zgjidhim çështjet e hapura bilaterale, të cilat përfshijnë edhe demarkacionin e kufijve me njëri-tjetrin. Kjo është bërë mjaft e qartë në forume të ndryshme. Për Kosovën, kjo do të thotë se duhet të vazhdojmë me dialogun dhe procesin e pajtimit.

Përveç dialogut me Serbinë, cilat mendoni se janë pengesat kryesore për pranimit të Kosovës në BE dhe për liberalizimin e vizave?

Rruga e pranimit në BE është një proces kompleks. Por, përderisa reformat po zbatohen dhe jemi duke zgjidhur konfliktet bilaterale, rruga drejt anëtarësimit do të jetë e hapur dhe do ta përfundojmë me sukses. Liberalizimi i vizave është tjetër çështje. Kosova ka përmbushur tanimë të gjitha kushtet. Kemi pasur më shumë kushte se kushdo tjetër në Ballkanin Perëndimor. Na janë caktuar detyra komplekse si demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit të organizuar. Ky proces nuk ishte i drejtë. Të gjitha vendet, duke filluar nga Kolumbia, Ukraina dhee më tej fqinjët tanë në Ballkan, gëzojnë tashmë liberalizimin e vizave me zonën Shengen, por si duket, jeta, politika dhe procesi i integrimit në BE nuk është gjithmonë e drejtë. Ne ishim të durueshëm. Komisioni Europian konfirmoi se ka dorëzuar dokumentacionin. Tanimë jemi në pritje që Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare të njohin përparimin dhe përkushtimin e madh të Kosovës. Ky proces duhet të marrë disa javë ose muaj, jo vite.

Federika Mogerini, Hashim Thaçi dhe Alexander Vuçiç

Tani për dialogun. Ju keni përmendur në disa raste mundësinë e "korrigjimeve territoriale" midis Serbisë dhe Kosovës, por mohuat mundësinë e ndarjes së Kosovës. Për çfarë "korrigjimesh territoriale" po flisni,  meqë keni përjashtuar ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve?

Kosova duhet ta mbyllë kapitullin e konfliktit me Serbinë me anë të një formule të përhershme dhe të qëndrueshme. Republika jonë njihet nga 116 shtete anëtare të OKB-së dhe është anëtare e barabartë në shumë forume ndërkombëtare shumëpalëshe, nga FMN-ja, tek Banka Botërore. Megjithatë, anëtarësimi në BE dhe NATO është i pakuptimtë derisa të zgjidhim çështjet e hapura bilaterale. Kosova me Serbia kanë shumë çështje të hapura nga koha e luftës. Disa nga këto çështje po zgjidhen nëpërmjet dialogut në Bruksel, por ka ardhur koha për një zgjidhje përfundimtare dhe ligjore. Unë jam kundër kufijve etnikë, por unë nuk jam naiv. Unë e di se Serbia preferon të shmangë sa më shumë të mundet njohjen e Kosovës. Ata do të dëshironin të ruanin statusin quo, por ky kjo nuk do të jetë e mundur. Pra, duhet ta rindërtojmë këtë marrëdhënie dypalëshe dhe duhet të përcaktojmë kufirin prej 400 kilometrash midis dy republikave. Kjo është arsyeja pse partnerët tanë perëndimorë janë të hapur për zgjidhje kreative dhe progresive, në mënyrë që ne mund ta arrijmë këtë qëllim. Jam gati të diskutoj zgjidhje me këdo për të garantuar vendin dhe perspektivën e Kosovës si një anëtare e familjes euroatlantike.

A do të ishin korrigjimet territoriale pjesë e marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve? Çfarë tjetër mendoni se duhet të zgjidhet brenda kësaj marrëveshjeje? Njohja e Kosovës, pasuria, apo trashëgimia kulturore?

Tani për tani nuk mund të flasim ende për zgjidhje konkrete. Fakt është se qytetarët e Kosovës Lindore, ose komunave jugore të Serbisë, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë shprehur dëshirën për t'u bashkuar me Kosovën nëpërmjet një referendumi. Pra, duke përfshirë këtë temë në dialogun me Serbinë, në mund të zgjidhim një pikë tjetër konflikti. Por për momentin jemi larg arritjes së çdo marrëveshjeje. Unë pres përfshirjen e Uashingtonit, Brukselit, Berlinit, Parisit. për të gjetur në një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

A do të zëvendësojë marrëveshja e re territoriale disa marrëveshje brenda dialogut Beograd-Prishtinë, si krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe?

Angela Merkel Hashim Thaçi dhe Alexander Vuçiç

Kosova ka qenë e përkushtuar për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e negociuara nga Brukseli. Beogradi propagandon se ne po vonojmë krijimin e shoqatës, por kjo është e pakuptimtë. Vonesat kanë ardhur nga Beogradi. Kemi pritur me muaj që ekspertët e komunitetit serb të bashkëpunojnë me autoritet e Kosovës, siç është rënë dakord në Bruksel. Asociacioni është lejuar edhe nga Plani i Ahtisaarit dhe nga kushtetuta jonë dhe si President i Republikës, do të respektoj të gjitha formulimet kushtetuese për të forcuar decentralizimin e pushtetit më pranë njerëzve dhe komuniteteve.

A besoni se SHBA, BE dhe shtetet e saj anëtare do të pranojnë çfarëdo marrëveshjeje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë?

Unë mendoj se SHBA, BE-ja dhe shtetet anëtare do të pranojnë marrëveshje që janë në përputhje me vlerat e BE dhe të drejtën ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës është një çështje e zgjidhur në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Nuk ka asnjë mënyrë që Serbia të mund të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Pra, tani duhet të pranojmë realitetin dhe të ndërtojmë një arkitekturë politike që do të kontribuojë për paqen në këtë pjesë të Ballkanit. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është faktori themelor për ndërtimin e arkitekturë të paqes. Por zgjidhja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte kontribuesi tjetër themelor i të ardhmes së Ballkanit dhe paqes për gjeneratat e ardhshme. Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të jetë kundër një zhvillimi kaq pozitiv.

A besoni se do të keni mbështetjen e kërkuar në Kosovë për marrëveshjen me Serbinë? Duke u nisur nga problemet me ratifikimin e marrëveshjes kufitare në Mal të Zi, opozita vështirë se do të pranojë ndonjë lëshim?

Paqja nuk është e lehtë. Vitet e fundit Kam folur me shumë ndërmjetësues, nga Norvegjia, SHBA-ja, Kolumbia dhe Izraeli, por jo të gjitha shoqëritë ndajnë të njëjtin vizionin për mënyrën sesi të arrihet paqja. Unë e kuptoj që opozita e Kosovës nuk e pëlqen faktin se jam unë ai që po e udhëheq këtë proces, por ndërgjegjja ime më thotë se duhet të angazhohem më seriozisht në përmirësimin e të ardhmes së fëmijëve tanë. Statusi quo nuk është një recetë për sigurinë. Është një recetë për katastrofën e pashmangshme. Sidoqoftë, unë kam ballafaquar me dialog në rrethana shumë më të vështira, si ajo në kështjellën e Rambujesë në vitin 1999. Pra, kam besim të fortë se të gjithë aktorët në politik, qoftë në qeveri apo opozitë në Kosovë, do të bashkohen për të mbyllur këtë kapitull të dhimbshëm dhe për të hapur një faqe të re, që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, BE-së dhe NATO-s. Ne nuk mund të kemi një konsensus universal, por kam parë sondazhet dhe shumica dërrmuese e njerëzve të Kosovës duan të mbyllin dialogun me Serbinë dhe të ecin përpara. /“European Western Balkans”/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë