Gazeta Si – Më në fund Teuta ka lënë fundin e tabelës së renditjes, ku ishte ‘gozhduar’ prej shumë kohësh. Durrsakët kanë mundur sot 1-0 Kukësin dhe janë ngjitur në vend të 8-të, duke lënë pas pikërisht skuadrën veriore dhe Erzenin.
Goli që vendosi ndeshjen e luajtur në ‘Niko Dovana’ u shënua me penallti nga Peposhi, pak pas fillimit të pjesës së dytë. Topi i gjuajtur nga lojtari i Teutës çau edhe rrjetën dhe doli jashtë, duke dhënë fillimisht idenë se Peposhi kishte gabuar.

Teuta goditi edhe shtyllën me Kotobellin që në fillim të ndeshjes. Kukësi pati pretendime për një penallti, ndërkohë që VAR-i i anuloi golin e barazimit për pozicion jashtë loje. Në fund, në kohën shtesë, ishte portieri Tafas ai që iu afrua golit për Kukësin, por nuk pati fat.
Durrsakët mund të marrin frymë më lirisht pas kësaj fitoreje, ndërsa Kukësi, edhe pas ndryshimit në stol, po regjistron vetëm humbje të njëpanjëshme dhe rënia nga kategoria duket e pashmangshme. Vetëm matematika mban me shpresë skuadrën veriore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




