Lojëra me Dore

Teuta dhe Flamurtari rrëmbejnë trofetë e parë sezonalë në basketboll

Kampionati kombëtar në basketboll për meshkuj dhe femra është duke shkuar drejt fundit me ekipet pretendente që po përgatiten për sprintin final. Në pritje që të luhen finalet për të gjetur kampionet e sezonit, janë luajtur dy finalet e Superkupës. Fitueset janë shpallur Teuta për meshkuj dhe Flamurtari për femra.

Durrsakët pas suksesit në Ligën Ballkanike janë rikthyer triumfator edhe në basketbollin vendas. Nën drejtimin e trajnerit Bilali, basketbollistët e Teutës mundën në finale Tiranën me shifrat 86-85. Ndeshja ishte e luftuar në të katërta periodat, por Teuta e favorizuar edhe nga mbështetja e tifozëve në pallatin e sportit “Ramazan Njala” ia doli që të fitojë për herë të dytë Superkupën e Shqipërisë, pasi edhe vjet mposhti Tiranën. Ky është trofeu i dytë këtë sezon për Teutën që në vitet e fundit po i jep tonin basketbollit për meshkuj në Shqipëri. Teuta ishte në finalen e Superkupës me statusin e fituesit të Kupës së Shqipërisë, ndërsa Tirana si kampionia kombëtare në fuqi. Ekipi durrsak është një nga pretendentët kryesorë për të fituar edhe titullin kampion këtë sezon, aty ku rivaliteti është sërish me Tiranën, por edhe me “Goga Basket”.

Ndërkohë në basketbollin e femrave Flamurtari i Viron Toskës vijon të mos njohë asnjë rival. Skuadra vlonjate ka triumfuar edhe këtë herë në Superkupën e Shqipërisë me shifrat 62-58 përballë ekipit të SH.B Tirana. Kjo ishte një formë revanshi për skuadrën vlonjate që vetëm pak javë më parë u mposht nga SH.B Tirana në finalen e Kupës së Shqipërisë. Të dyja ekipet janë rivale të forta edhe në luftën për të fituar titullin kampion në kampionatin kombëtar të basketbollit për femra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë