Shendet

Testet serologjike mbi mjekët: Mes shumë pikëpyetjeve, ende herët për rezultate

Një mënyrë e shpejtë për të zbuluar nëse një person është prekur nga koronavirusi i ri, janë rastet serologjike. Studimet dhe mjekë të huaj dhe shqiptarë kanë shpjeguar se testet serologjike konsistojnë në një analizë gjaku. Këto teste tregojnë nëse një person ka krijuar antitrupa pasi Covid-19 ka hyrë në organizmin e tyre. Testet serologjike kryhen si një test i zakonshëm gjaku, por si qëllim kanë zbulimin e antikorpeve. Që prej datës 20 prill këto testime po kryhen edhe në vendin tonë.
Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tregon për Gazetën “Si” se tek ne sapo ka filluar analiza serologjike për personelin shëndetësor më të ekspozuar dhe të sëmurët e hospitalizuar sipas një protokolli dhe metodologjie të përcaktuar nga ekspertët, rezultatet e të cilave do të bëhen prezent në kohën e duhur.

Por sa efikas mund të jetë testimi serologjik?
Mjeku infeksionist Pllumb Pipero, thotë për Gazetën “Si” se ka shumë pikëpyetje sa u takon testeve serologjike kudo në botë.
“Së pari jo të gjitha janë certifikuar për sa i takon sensitivitetit dhe specifitetit, së dyti sa i takon llojit të analizës, dhe referencës me apo pa PCR pozitive si dhe qëllimit, diagnostike që ka shumë pikëpyetje, imunologjike apo thjesht depistuese. Ka shumë diskutime për kohën kur duhet filluar, pra kur janë më të dobishme. Nuk po flasim për “rapid testet”, rreth të cilave ka edhe më shume pikëpyetje,” shtoi mjeku.
Gjatë vizitës së saj në laboratorin e QSUT Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, vendosi të përfshijë edhe testimin serologjik.
“Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri. Në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë siguruar aktualisht 6 mijë teste, që janë disponibël. E gjithë struktura e laboratorit e çertifikuar është e ngritur për të filluar këtë testim të ri,” deklaroi Manastirliu.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar prej kohësh se testet serologjike janë të paefektshme.
“Shumë shtete sugjerojnë përdorimin e testeve të shpejta serologjike për të kapur atë që ata mendojnë se do të jetë një masë imuniteti. Për momentin, ne nuk kemi asnjë provë se përdorimi i testeve serologjike mund të tregojë nëse një individ ka imunitet apo është i mbrojtur nga riinfektimi,” ka theksuar OBSH.
Gjithashtu edhe kreu i Urgjencës Mjekësore KOmbëtare, dr.Skënder Brataj ka deklaruar se në disa vende testimi serologjik ka dështuar.
Ai është shprehur se testimi serologjik është shumë rëndësishëm por është i rëndësishëm kur njohim sëmundjen.
“Studimi serologjik ka dy faza, një që tregon infeksionin nëpërmjet IGM-ve, që nëse gjendet IGM në këtë test, atëherë do të thotë që i je akoma në fazën e infektimit. Nëse ka IGG do të thotë që e ke kaluar sëmundjen dhe ke krijuar antitrupa. Por puna është tek testet që janë bërë, sa të sakta janë. Ka shumë teste serologjike të kryera nga laboratorë të ndryshëm. Në këto testet që janë bërë ka pasur shumë raste false,” ka deklaruar Brataj.
Ndër të tjera mjeku i Urgjencës theksoi se testet serologjike mund të jenë edhe të rrezikshme, për shkak se mund të tregojnë rezultate të gabuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë