Shendet

Testet e shpejta nga sot përkrah atyre PCR, por testimi masiv pas 20 dhjetorit

Sot në Shqipëri nisën testet e shpjeta. Por si? Testet e shpejta sot do të jenë përkrah atyre PCR, për epidemiologët që dalin në terren dhe testojnë rastet e dyshuara ose vijojnë me gjurmimin e kontakteve.
Në një status Ministrja Manistirliu theksoi se do të hapen disa pika për testimin me rezervim pranë mjekut të familjes.


"Nga sot ekipet e epidemiologëve të terrenit do të kryejnë edhe testet e shpejta, përveç testimit me metodën PCR, duke rritur aksesin për qytetarët për testimin në #kohë dhe të #sigurtë. 100,000 teste të shpejta të siguruara dhe do të vijojmë të rrisim kapacitetet me të dy metodat e testimit. Së shpejti, hapen disa pika në Tiranë dhe në qytetet e tjera për testimin me rezervim pranë mjekut të familjes”shkruan ministrja.
Ndërkaq, testimi masiv për popullatën do të nis pas datës 20 dhjetor ku do të shpërndahet në disa qendra shëndetësore në Tiranë fillimisht dhe më pas në rrethe nëpërmjet spitaleve rajonale, e deri më tani mjekët e rretheve nuk kanë marrë asnjë trajnim apo udhëzim.

Përpos faktit që ne i kemi testet e anigenit, do të vijojmë të testojmë popullatën duke dërguar epidemiologët derë më derë, njëjtë si në mars kur nisi pandemia në Shqipëri. Përfitimi nga testet e antigenit tashmë është i ditur. Ato japin përgjigje për disa minuta, duke dhënë një përgjigje më të shpejtë për gjendjen shëndetësore të popullatës.

Por a po vonohet edhe më shumë Shqipëria për nisjen e këtyre testeve?
Këto teste kanë disa muaj që po zhvillohen në Maqedoninë e Veriut, Greqi, Serbi apo Kroaci dhe janë vendosur si teste kryesore dhe jo si teste mbështetëse. Qytetarët mund të shkojnë në qendra shëndetësore dhe të bëjnë testin. Ndërkohë planet fillestare të Ministrisë së Shëndetësisë në vendin tonë, tregojnë se testet e antigenit do të funksionojnë si mbështetëse, duke vonuar edhe më shumë testimin masiv që ekspertët e shëndetësisë të huaj dhe vendas e cilësojnë shumë të rëndësishëm.


Duke marrë shkas nga deklarata e Silva Binos, Shefes së Sëmundjeve Infektive në ISHP, se testet e antigenit janë 100% efektiv lind pyetja , pse në vendin tonë këto teste do të jenë mbështetëse për testet PCR dhe nuk adresohen menjëherë në qendrat shëndetësore?
Ekspertit i shëndetit publik Erion Dasho, ka shpjeguar edhe më herët se testimi është tepër i rëndësishëm në këtë fazë të epidemisë ku jemi. Ai ka shkruar edhe më herët në statuset në Facebook-un e tij se, nëse nuk teston nuk mund ta njohësh të vërtetën për situatën e vendit.

“Në Europë ardhja e stinës së virozave nxiti valën e dytë të COVID-it. Pas një hezitimi disa ditor, autoritetet shkencore të këtyre vendeve rekomanduan zbatimin e menjëhershëm të masave kufizuese në përputhje me karakteristikat e epidemisë në secilin vend. Aty ku rritja ishte kërcënuese si në Francë e Itali, masat ishin drastike. Aty ku rritja ishte më e moderuar si në Gjermani, masat ishin më të zbutura,” shkruan eksperti, i cili prej fillimit e ka konsideruar testimin shumë të rëndësishëm.
Gjithashtu, në një intervistë për gazetën “Si” më herët ai është shprehur se vendi ynë duhet të bëjë rreth 10 mijë testime në ditë. Diçka që me testin e antigenit mund të realizohet në mënyrën më të mirë te mundshme. Europa e ka shfrytëzuar prodhimin e testeve të antigenit, pikërisht për testimin masiv të popullatës, pasi shihen si një armë e fortë për përballimin e situatës së Covid-19. Shumë vende kanë testuar shumicën e popullatës, duke anashkaluar kështu karantinën e cila mendohet si hapi i fundit për frenimin e përhapjes së infeksionit.

Deri më tani, testimi masiv është konsideruar si një qasje shumë e rëndësishme për ekspertët e shëndetit publik, që duhet të zbatohet nga të gjitha shtetet.
Më herët kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge theksoi se testet e shpejta do të mbërrinin në vendin tonë pas 8 ose 10 javësh, ndërsa ministrja deklaroi se Shqipëria ka një sistem shëndetësor që është në gjendje të përballojë situatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë