Gazeta Si – Ngjarjet e fundit, ku punonjës policie kanë qenë protagonistë në kronikën e zezë, kanë rikthyer vëmendjen te ecuria e testimit antidrogë ndaj tyre.
Për këtë, kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, duket se ka ndryshuar strategji.
Ai ka rekomanduar që efektivëve të dyshuar, t’u bëhet një test i befasishëm antidrogë, pa i paralajmëruar se do të jenë pjesë e këtij procesi.
Nisma filloi në fund të vitit të shkuar për një test periodik, i cili kishte si qëllim të parandalonte ata policë që përdornin lëndë narkotike dhe shërbenin nën efektin e tyre.
Edhe pse nisi me bujë të madhe, dyshimet dhe pakënaqësitë mes efektivëve për rezultatin e tyre, ishin të mëdha.
Pati me dhjetëra syresh që u pezulluan nga detyra apo shkarkuan, por vrasja e një polici nga kolegu dhe plagosja e një qytetari nga një efektiv tjetër, riktheu vëmendjen se një proces i tillë nuk kishte dhënë rezultat.
LEXO EDHE:
– Testi anti-drogë në polici – A është një kurth ndaj Gledis Nanos?!
– Të dehur, nën efektin e drogës, përdorin armën ndaj qytetarit apo kolegut, dekonspirojnë operacione… Rekrutimi i brezit të ri që ka sjellë ‘shpartallimin’ e policisë
Por Nano kërkoi që “çdo titullar i strukturave vendore, të grumbullojë informacion dhe të dërgojë në mënyrë të befasishme për të kryer testin e drogës ata punonjës që dyshohet se mund të përdorin lëndë narkotike”.
Sipas tij, “ky është një proces që do jetë në vijimësi dhe nuk do mbarojë kurrë, ndaj vlerësojeni me shumë seriozitet”.
Në fakt, një fenomen i tillë, ka ngjallur shpesh shqetësim dhe mungesë besimi te qytetarët.
Më pas, kryepolici ka kërkuar nga të pranishmit në mbledhje, që të evidentojnë rastet e konflikteve ndërmjet punonjësve të Policisë.
Nano i këshilloi drejtuesit t’u japin zgjidhje shteruese, nëse ka raste të tilla. Për këtë, ai kërkoi bashkëpunimin e çdo drejtorie vendore me strukturat që kanë psikologë.
“Me urdhrin e psikologëve, që na kanë premtuar ndihmën dhe mbështetjen, duhet të ndiqen me rigorozitet të gjitha rastet që kanë të bëjnë me ngarkesat psikologjike të punonjësve të Policisë”.
Një shqetësim i tillë vjen pas ngjarjes së ndodhi dy javë më parë në komisariatin numër 3 në Tiranë, ku një punonjës policie qëlloi kolegun e tij për vdekje, pasi pretendonte se bullizohej prej tij.
Sa i takon kontrollit të territorit nga toka dhe ajri me dronë, për parandalimin e kultivimit të kanabisit, Nano bëri një paralajmërim.
“Për ato zona që do të raportohen të pastra, por më pas nga monitorimi ajror do të evidentohen bimë narkotike të mbjella, përgjegjësia do të bjerë direkt mbi drejtuesit e strukturave policore që mbulojnë këto territore dhe masat do jenë shumë ta ashpra”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




