Ana e errët

Të dehur, nën efektin e drogës, përdorin armën ndaj qytetarit apo kolegut, dekonspirojnë operacione… Rekrutimi i brezit të ri që ka sjellë ‘shpartallimin’ e policisë

foto ilustruese per policine

Nga Gazeta Si - Kur një punonjës policie u arrestua në flagrancë duke drejtuar makinën në gjendje të dehur, jo zyrtarisht u deklarua se ai gjithashtu ishte nën efektin e drogës.

50-vjecari që ju nënshtrua testin të alkoolit nga kolegët e tij përfundoi më pas nën prangat e tyre, megjithëse për shërbimet e patrullave kjo gjë po kthehet në një fenomen.

“Oficerët qëndrojnë në lokale gjatë orarit të shërbimit dhe drejtoria e standardeve duhet të funksionojë siç duhet dhe të nisë kontrollin e policisë“ – thotë një ekspert për gazetën Si që edhe në një intervistë të mëparshme mbas krimit të kryer nga nëninspektori Ludian Zaimi (në komisariatin numër 3) vlerësoi se policia po kalon një nga fazat më të vështira.

Duke e quajtur policinë të shpartalluar, ky ekspert i lartë, që ka qenë zyrtar policie, deklaron se policia ka probleme që prej momentit që merret detyra, kryhet instruktazhi, kontrollohen policët, por edhe për faktin se disa oficerë po mbajnë ngarkesën e të tjerëve që i shmangen detyrës.

Polici që plagosi qytetarin në Kombinat

Por Gazeta Si do sjellë sot rastin e plagosjes së qytetarit në Kombinat, një histori që e investigoi gjatë këtyre ditëve dhe që tregon se si një oficer policie pranë Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, mori leje lehtësisht nga puna dhe më pas u shtrua duke pirë birra dhe raki derisa shtiu me armën e shërbimit.

Rrëfimin e parë për L. Gjylën, policin e prangosur nën akuzë për plagosje të rëndë e ka dhënë përpara kolegëve polici i këtij reparti shtetasi S.H. Siç mëson gazeta Si, polici dëshmitar si edhe kolegët e tjerë që po pyeten nga AMP për të sqaruar performancën policore dhe çfarë realisht ndodh brenda komisariateve tregon se e mori shërbimin nga ora 14.00 deri në orën 19.00.

“Në këtë moment kërkova të ndërrohesha nga vendshërbimi në vendrojën numër 2, sepse isha pak pa qejf dhe me dhimbje koke” deklaron për kolegët polici.

I pyetur se kur e pa kolegun që më pas kreu ngjarje duke rrezikuar jetën e një qytetari, S.H kujton se e pa atë ditë dhe se ai duhet të ishte në detyrë.


“Ai u fut në ambientin e repartit me sa kujtoj me Citroen ngjyrë blu rreth orës 17.30. Në momentin që po futej më tha, po shkoj të lë diçka apo të marr diçka, s’më kujtohet si ma tha, dhe do dal.

L . Gj ishte pasagjer dhe në timon ishte një shtetas tjetër rreth 40 vjeç, të cilin ma prezantoi si kolegun tonë nga Amerika. Njoftova menjëherë sallën duke treguar se kolegu ynë Luftiu do hynte në dhomën e tij në repart dhe do dilte. Punonjësi i sallës më tha dakord. L. doli pas dhjetë minutash dhe me sa mbaj mend rreth orës 18.30 e kam parë përsëri, ku më tha po iki në shtëpi. Realisht efektivi që iu justifikua oficerit roje se do ikte në shtëpi, po bënte xhiro nga reparti në lokal ku dhe ka konsumuar alkool.

Salla operative u njoftua për plagosjen e një qytetari rreth orës 21.00 dhe sipas komisariatit numër 6 rezultoi se autor i ngjarjes me armën e shërbimit ishte polici L.GJ, kurse qytetari i plagosur u identifikua si shtetasi Llazi Miho.
Policia tregon se kur pa që nga sjelljet në komisariat dhe aroma e gojës i dyshuari kishte konsumuar alkool atij iu bë testi i shpejtë. Sasia e parë ishte tej normës normale prej 1,228 miligramë për litër thënë ndryshe në gjendje të alkoolizuar.

Burimet thonë se në dhomën e policit në komisariat u gjet një armë pistoletë e vendosur në kokën e krevatit të tij dhe me krehërin të hequr nga foleja, kurse në dysheme u gjet një fishek i paplasur. Por ky përshkrim policor nuk ka aspak lidhje me vendin e krimit, aty ku u plagos qytetari, dhe që ishte një lokal.

Polici duhet të ishte në detyrë thanë burimet e gazetës Si pranë agjencisë dhe duhej të ishte planizuar në turnin e dytë. Mbasi është qetësuar dhe i ka dalë alkooli ai tregon:


“Isha në lokal së bashku me ca të njohur. Teksa pinim birra, tek tavolina u afrua një shtetas që e njoh me emrin Myrto të cilin e ftova për ta qerasur. Por në atë moment Myrto më kap pistoletën që unë e kisha në brez, ma mori dhe lëvizi shtratin e armës. Në atë moment arma që Myrto mori në dorë kreu qitje dhe kështu u plagos shtetasi Myrteza Lika".

Por polici ka lënë pa përgjigje pyetjen se përse ai ishte në një lokal me armën e shërbimit. Për ekspertët dëshmia e policit është e pasinqertë, mbasi nuk ka asnjë mundësi që dikush t’ia ketë rrëmbyer pistoletën nga brezi.


Këtë version e përforcon edhe E.K që gjendej në lokal mbasi donte të takonte një shokun e tij kamarier. “Qytetarin e qëlloi një person që nuk e njihja dhe që ishte polic. Dua të them se nga tre personat që ishin në tavolinë nuk njoh asnjërin prej tyre dhe ishte hera e parë që i shikoja. Ky person ishte pak i shëndoshtë me thinja në kokë dhe me bluzë blu”, përshkruan dëshmitari.

Ai shton se personat po pinin birra të veçuar nga të tjerët. “Mbas 30 minutash aty ka ardhur dhe një person tjetër dhe diçka jo më shumë se dy minuta më pas kamë dëgjuar një të shtënë dhe ky person që ishte ulur aty është ngritur dhe po kërkonte ndihmë. Ai po çalonte. Ata nga u qëllua me armë, u çuan dhe u larguan”.


Po përse kjo polici e 'shpartalluar'?


Policia e shtetit aktualisht i është nënshtruar testit antidrogë, por mënyra se si nisi dhe si po kryhet, pavarësisht qëllimit të mirë të Gledis Nanos ende nuk ka dhënë rezultate të qarta.

Deri më tani rezulton vetëm një police e përjashtuar pas testit antidrogë, mbasi doli që ishte përdoruese kokaine dhe madje ka dyshime që me shumë gjasë përdorej nga ndonjë grup kriminal në Elbasan për t’i informuar ata.

“Problemet e policisë nisën në kohën e ish-ministrit Tahiri, rekrutimi i një brezi që ka problematika të theksuara, të reja që janë bërë policie kur e kaluara e tyre nuk dihet, apo të rinj që kanë problem varësie dhe mund të jenë edhe të patrajnuar dhe me lidhje të dyshimta”, justifikohet një zyrtar policie duke kujtuar edhe rastin e Ludian Zaimit, 25-vjeçarit që mbasi vrau kolegun brenda në komisariat kur doli në trotuar dhe kolegët që gjendeshin jashtë këtyre ambienteve e pyetën çfarë kishte ndodhur ai u përgjigj qetësisht: Qëllova unë.

Por çdo gjë nis dhe mbaron tek karriera, insiston gjatë intervistës anonime eksperti i policisë. “Ka një listë zyrtarësh të përfolur, madje edhe gjatë hetimit më të fundit të Plumbit të Artë që mund të kenë lidhje me grupe, në polici po flitet se hetimi u dekonspirua jo nga policë të thjeshtë, me qëllimin për të shpëtuar ata që ndërkohë kanë inkriminuar shefa policie që do të thotë se pikërisht këta shefa po kërkojnë të shpëtohen”.

Por Gazeta Si u interesua pranë Agjensisë së mbikëqyrjes policore nëse është zbuluar apo jo se kush apo cilët janë njerëzit që e tradhëtuan Plumbin e Artë të Nuredin Dumanit. “Po hetojmë ende ishte përgjigjja për gazetën Si”, dhe sipas këtij burimi hetimet janë shtrirë deri në momentin që doli publikisht informacioni se Nuredin Dumani po fliste. “Është e qartë se Nuredin Dumani nuk u tradhëtua ditën që u prenë 32 fletë arreste, por ditën kur publikisht u tha që Dumani po fliste dhe kjo nuk ndodhi pa dashje. Por qëllimisht”, mbyll qëndrimin e tij burimi i gazetës Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë