Lajme

Tërmeti, Kosova, Italia, Franca, Turqia dhe Greqia kanë nisur avionë me Skuadra Speciale

Kryeministri Edi Rama njofton se Shqipëria po ndihmohet me avion nga Italia, Franca, Turqia dhe Greqia. Në rrjetet sociale, Rama shkruan se edhe ambasadat e SHBA dhe BE janë gati për ndihmë.


Për situatën e tërmeteve në Shqipëri ka reaguar Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, Ambasada e SHBA-ve dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca. Ata kanë shprehur mbështetjen e tyre për situatën ku ndodhet vendi. Në një postim në rrjetet sociale, Sassoli shkruan: "I gjendem pranë vëllezërve dhe popullit shqiptar. Europa është në tuaj".
Ndërsa Ambasada e SHBA reagoi duke u shprehur: "Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet më të thella për të gjitha familjet dhe komunitetet e prekura nga tërmeti. Shtetet e Bashkuara janë pranë miqve tanë në Shqipëri, ashtu si amerikanët dhe shqiptarët kanë qëndruar gjithnjë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira. Ne vijojmë të ndjekim situatën nga afër dhe jemi në gatishmëri për të ofruar mbështetjen tonë”.


Ambasadori i BE në vendin tonë, Soreca shkroi në Twitter se janë të pikëlluar nga humbjet e jetëve dhe se Bashkimi Europian është në kontakt me autoritetet për të ofruar ndihmë.

“Jemi shumë të pikëlluar nga humbja e jetëve dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar. Zemrat tona janë me popullin shqiptar dhe të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi. Bashkimi Europian qëndron pranë popullit dhe mbetet në kontakt me autoritetet për të ofruar ndihmë”, shkruan Soreca.

Po ashtu edhe Gjermania ka reaguar pas tërmetit që ra mëngjesin e kësaj të marte në Shqipëri, duke shprehur ngushëllimin për viktimat.

“Pas kësaj nate të tmerrshme mendimet e mia shkojnë pranë qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë. Shpreh hidhërimin tim për viktimat dhe shpresoj që të gjithë të lënduarit të shërohen së shpejti. Gjermania mbështet fort Shqipërinë në këto orë të vështira.”, shkruan ambasadori gjerman në vendin tonë,Peter Zingraf.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj shprehu gatishmërinë për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme për të përballuar situatën e rëndë. Në një postim në Facebook, Haradinaj shkruan se i kërkoi instancave shtetërore të Kosovës që të mobilizojnë të gjitha njësitet emergjente për t’i dalë në ndihmë qytetarëve shqiptarë.

"Me shqetësim po i përcjell lajmet për tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë dhe një pjesë të Kosovës gjatë natës. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët që pësuan dhe ata që presin me padurim lajme për familjarët e tyre. Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e saj të pakursyer popullit dhe shtetit të Shqipërisë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë. Të gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”.

Po ashtu edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur solidaritet duke deklaruar se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Vete kryeministri Rama thotë se Kosova ka nisur skuadrat speciale për të nxjerrë personat që ndodhen nën rrënoja.

Ai shkruan në faqen e tij në Facebook se: "Sapo fola me kryeministrin Edi Rama, ku u informova për gjendjen pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Kryeministrit Rama, në emër të qytetarëve të Kosovës i shpreha ngushëllimet më të sinqerta për viktimat që pësuan nga tërmeti. Kryeministrin Rama e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë.Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti", tha Thaci.

Lajmi për dëmet e shumta të tërmetit që goditi sot Shqipërinë ka bërë jehonë edhe në mediat e shumta ndërkombëtare.

Gazetat italiane ‘La Repubblica’, ‘La Stampa’, prestigjozet amerikane dhe britanike CNN, BBC e shumë të tjera shkruajnë për fatkeqësinë natyrore që goditi sot vendin tonë.


Euronews në titull kryesor të lajmit shkruan se "Shqiptarët reagojnë ndaj tërmetit më të fuqishëm në dekadat e fundit".

Tabolidi britanik "Dailymail" shkruan për disa persona të vdekur nga tërmeti i fuqishëm.

Tërmeti është raportuar edhe nga mediat greke.

Sipas mediave italiane, lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në pjesën jugore të Italisë në Puglia, Basilicata, Campania, Abruzzo dhe Napoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë