Ngjarje

Toka nuk zë vend! Lëkundje të forta tërmeti edhe pas mesnate

Lëkundjet të forta të tokës u regjistruan edhe pak pas mesnate, ironikisht në të njëjtën kohë që Kryeministri Edi Rama kishte thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë për dy tërmetet e forta që goditën vendin pak pas orës 16:00.

Tërmeti i regjistruar ishte me magnitudë 5.0 të shkallës Rihter, me epiqendër sërish në Detin Adriatik, 3 kilometra në veri të Durrësit dhe në një thellësi prej 31 kilometrash.

Lëkundjet e forta nxorrën sërish në rrugë atë pjesë të banorëve të Tiranës dhe Durrësit që u rikthyen në banesat e tyre pas lëkundjeve të para. Kjo ishte lëkundja më e fortë pas dy lëkundjeve të pasdites së të shtunës, por jo e vetmja. Sipas IGJEUM, mbi 70 lëkundje të tjera janë regjistruar deri rreth orës 21:00, por magnituda e tyre ka qenë e ulët.

Rrezja e tërmeteve është zgjeruar edhe më në jug rreth orës 22:00, kur lëkundje me magnitudë 4.2 të shkallës Rihter lëkundën lehtë qytetet shqiptare në jug. Epiqendra e tërmetit ishte pak kilometra në veri-perëndim të Korfuzit, por u ndje në Sarandë, Gjirokastër e deri në Vlorë.

Tërmeti e gjeti qeverinë pak pasi kishte nisur mbledhjen e jashtëzakonshme. Në Fjalën në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, ndër të rrallat që transmetohet drejtpërdrejtë që prej 2013-ës, Kryeministri Edi Rama e nisi duke falenderuar ministret e Shëndetësisë dhe të Mbrojtes dhe vlerësoi përgjigjen e institucioneve pas tërmetit që goditi vendin pak pas orës 16:00.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/548100372599894/

Rama tha se struktura e emergjencës ka funksionuar maksimalisht duke mbledhur dhe përpunuar në kohë reale të dhënat. Ai këtë ja faturoi reformës në këtë sektor, ndërsa rikonstruksionin e godinës së Kryeministrisë e vlerësoi për cilësinë që sipas tij mbajti e mbajti në këmbë.

Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila bëri një panoramë më të plotë të situatës.

“Ndjejmë një lehtësim të madh, tani që panorama është më e qartë. Dëmet materiale janë shumë më të lehta nga çfarë mendohej dhe ajo çfarë është më e rëndësishme nuk ka patur asnjë jetë të humbuër dhe asnjë lëndim serioz”, deklaroi ministrja.

Dëmet më të mëdha materiale Xhaçka tha se janë raportuar nga Tirana, me mbi 200 banesa të banuara dhe 20 pallate me plasaritje, më pas Durrësi me 125 banesa dhe 5 pallate me krisje. 23 banesa janë dëmtuar dhe 3 pallate janë krisur në Elbasan.

“U kemi bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë për banesat, pallatet dhe ambientet ku jetojnë. Ekipet që do të ngrihen në ditët në vazhdim do të inspektojnë dhe verifikojnë nga afër çdo rast të banesave”, shtoi Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes thotë se sipas përëllogaritjeve të IGJEUM mund të thuhet se e keqja ka kaluar, pasi lëkundjet pas goditjeve të mëdha të pasdites kanë qenë me intensitet në rënie të vazhdueshme.

Qeveria kërkon nga qytetarët që të mos kapen nga paniku, nisur nga raportimet se qindra qytetarë të Tiranës kanë zgjedhur që ta kalojnë natën duke fjetur nëpër makina, ose duke u larguar nga kryeqyteti në drejtim të qyteteve të tjera.

Ministri Sandër Lleshaj foli për mbi 2 mijë forca policore që janë në terren për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të garantuar sigurinë në këtë periudhë të vështirë, ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se strukturat që ajo ka në varësi janë në gatishmëri të plotë që prej pasdites.

Në total janë 105 persona të plagosur nga tërmetet e pasdites, ku 15 prej tyre raportohen në gjendje më të rënduar. Pjesa më e madhe e të lënduarve kanë marrë mjekimin dhe kanë lënë spitalin. Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të Tiranës, Qeveria thotë se ka ngritur gjashtë qendra emergjence. Dy prej tyre, në njoftimin e shpërndarë edhe nga Ministria e Brendshme ndodheshin në Yzberish dhe tek Bulevardi i Ri i Kasharit.

Por, deri në orën 23:30 minuta, kohë kur gazeta “Si” verifikoi në terren këto dy qëndra emergjence, as në Bulevardin e Ri të Kasharit dhe as në Yzberish nuk ekzistonte e ngritur një e tillë. Jo vetëm që nuk ishin ngritur ende, por nuk kishte as përgatitje për ngritjen e tyre, ndërkohë që dhjetra banorë zgjodhën që ta kalojnë natën nëpër makinat e tyre, e të tjerë nëpër lokalet e lagjeve, që qëndruan hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë