Ngjarje

Tërmeti, gjysma e të pastrehëve nëpër hotele

Zyra Qendrore e Menaxhimit të Emergjencave thotë se janë rreth 2600 banorë të strehuar nëpër hotele dhe dhe se vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim.

Shifra është sa gjysma e personave që të dhënat paraprake kanë sugjeruar se kanë nevojë për strehim urgjent, që përllogaritet në rreth 5200 persona.

Gjithashtu kjo zyrë thotë se vazhdon puna për identifikimin e godinave të dala jashtë përdorimit dhe shembja e tyre në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak. Deri më sot, në qarkun Durrës janë prishur 12 banesa të shkatërruara dhe 5 të tilla në Thumanë.

Dëme të mëdha në shumë banesa janë identifikuar edhe në Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë, Lezhë.

Ndërkohë, Qeveria miratoi paketat e ndihmës për familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore. Qeveria thotë se janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve speciale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë