Ka ndodhur

Tentuan të fshihnin ngjarjen për vdekjen e minatorit, në pranga drejtori dhe dy punëtorë

Mustafa Kamishi, 65 vjeç, punonjësi i cili humbi jetën të enjten në fabrikën e pasurimit të kromit në Bulqizë, është mbytur aksidentalisht në zonën e grumbullimit të ujërave kulluese, ndërsa ngjarja u tentua të fshihej nga drejtori dhe dy punonjës.

Policia ka arrestuar të premten tre personat e dyshuar në Bulqizë, pasi akuzohen se kanë fshehur incidentin që i mori jetën 65-vjeçarit, i cili ka qenë duke punuar në zonën e grumbullimit të ujërave kulluese të fabrikës së kromit.

Sipas policisë, është arrestuar drejtori i aktivitetet të Fabrikës së Pasurimit të Kromit dhe 2 shtetas tjerë (punëtorë) për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” “Moskallëzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” .

Të arrestuarit janë: I.N., 53 vjeç, banues në Tiranë me detyrë Drejtues i aktivitetet të fabrikës së pasurimit të kromit, dhe Rr.K., 52 vjeç, A.A., 38 vjeç, (punëtorë në këtë fabrikë) të dyshuar se kanë kryer veprat penale “Moskallëzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” .

Një ditë më parë, 65-vjeçari po punonte në zonën e grumbullimit të ujërave kulluese të fabrikës, së bashku me shtetasit Rr.K., dhe A.A., të cilët ishin ngjitur  sipër një varke të improvizuar dhe gjatë lëvizjes me të, kanë humbur ekuilibrin duke rënë në ujë, ku si pasojë, Kamishi ka humbur jetën.

Pas ngjarjes, trupin e viktimës shokët e tij e kanë dërguar në banesë, pasi fillimisht u raportua se 65-vjeçari, punëtor i ferrokromit, mund të kishte pësuar atak kardiak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë