Ngjarje

Tentuan arratisjen, Drejtoria e Burgjeve kërkon izolim në ’41 Biss’ për vrasësin e grave Dan Hutra dhe 3 të tjerë

Gazeta Si - Pas zbulimit të planit të arratisjes së 4 të paraburgosurve në Burgun e Fierit, Drejtoria e Përgjithshme ka kërkuar futjen në regjimin e posaçëm “41 biss” për Dan Hutrën, Martin Kapllanin, Geraldo Veizin dhe Feti Kovaçin.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur menjëherë procedurat për katër të burgosurit, të cilët me planin e tyre paraqesin rrezik për arratisje. Qëndrimi i tyre në regjim do të bëhet për një afat të pa përcaktuar kohor, si masë dënimi.

Mësohet se nga ana e Drejtorisë së Burgjeve janë cilësuar si persona me rrezikshmëri të lartë brenda ambienteve të burgut.

Dyshohet se Dan Hutra, personi që tronditi vendin vitin e shkuar me vrasjen e 3 femrave dhe plagosjen e 3 të tjerave, është organizatori i këtij plani.

I vendosur në masën e sigurimit personal të “arrestit me burg”, ai është transferuar në sektorin përkatës në burgun e Fierit, por ditën e djeshme  ka tentuar arratisjen.

Të dhënat janë bërë me dije nga vetë Drejtoria e Burgjeve që ka dhënë detajet dhe personazhet që kanë qenë në bashkëpunim me Hutrën në atë sipërmarrje të dështuar tashmë, të gjithë personazhe të njohur.

Policia e burgut dhe autoritetet mbikëqyrëse kanë ndërhyrë duke bërë të mundur zbulimin e aktit të arratisjes që në fakt ishte planifikuar të ndodhte në orët e mesditës, duke shfrytëzuar edhe kohën e drekës.

Bashkë me Hutrën mësohet se kanë qenë të gjithë persona me masë arresti të njëjtë, të cilët janë të arrestuar për vjedhje dhe grabitje me dhunë.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, mësohet se të paraburgosurit kishin nisur të prisnin zgarën e dhomës, duke e tentuar arratisjen nëpërmjet çarçafëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë