Ngjarje

Tentoi të grabiste një bankë në Athinë, policia plagos 38-vjeçarin shqiptar

Gazeta Si- Një 38-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur nga policia greke në zonën Colonos në Athinë të Greqisë, pas tentativës për të grabitur një bankë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në rrugën “Palamidi” dhe sipas mediave greke, policia u njoftua për një grabitje.

Sipas mediave greke, autori Elton Thoma Zoto, i datëlindjes 1985 nga Delvina, hyri fillimisht në bankë dhe nën kërcënimin e një thike mundi të grabisë rreth 4.000 euro.

Në vazhdim, ai tentoi të largohet, por policia ishte më pak se 50 metra nga vendi i grabitjes dhe sapo ra alarmi, dy policë vrapuan për të parë nga afër shkakun e alarmit.

Mediat raportojnë se ata panë shqiptarin Zoto që po tentonte të largohej me një motor. Menjëherë filloi ndjekja dhe rreth 300 metra më tej, policët e rrëzuan autorin në tokë.

I armatosur me thikë, Zoto goditi njërin prej policëve, duke e plagosur lehtë, ndërsa një tjetër polic qëlloi me armën e shërbimit dy plumba mbi Zoton, duke e lënë të plagosur rëndë.

Ai u dërgua në spital dhe po lufton për jetën, ndërsa polici që qëlloi mbi të u ndalua me urdhër të prokurorisë deri në sqarimin e rrethanave.

Elton Zoto rezulton me precedent penal në Greqi. Ai është skeduar për krime që kanë lidhje me drogën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë