Nga Gazeta Si - Një 60-vjeçar është vënë në pranga në pikën kufitare të Morinës, pasi tentoi të fuste drejt Shqipërisë fishekzjarrë dhe kapsolla. Pas kontrolleve u pikas ngarkesa që kishte i arrestuari, 131 fishekzjarrë, 4500 kapsolla dhe mallra të ndryshme.
"Shërbimet e Policisë Kufitare në Qafë Morinë, Tropojë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Touran”, me drejtues shtetasin një 60 vjeçar. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 131 fishekzjarrë, 4500 kapsollë, veshje dhe mallra të ndryshme, të padeklaruara", shkruhet në njoftimin e policisë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë, shtetasin M. Gj., 60 vjeç, banues në Fushë Arrëz. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.