Gazeta Si – Një bankë e nivelit të dytë u tentua të grabitej të hënën në mes të Tiranës, pranë godinës së Ministrisë së Drejtësisë, por ajo që bie në sy ka qenë plani i pazakontë që ishte menduar nga autorët, i njëjtë me një skenar filmash Hollivudi.
Grabitësit kishin hartuar një skemë të mirëmenduar për t’u futur në ambientet e bankës, përmes kanaleve të nëndheshme të ujërave të zeza. Për të zbritur në tunel, ata kanë përdorur një shkallë druri, që u mor nga policia si provë materiale.
Policia kishte siguruar informacione në rrugë operartive se në bulevardin “Zogu I”, po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë që ndodhej aty pranë. Por falë reagimit të menjëhershëm është bërë zbulimi i pazakontë dhe parandalimi i vjedhjes së saj.
Sipas grupit hetimor, punimet për hyrjen në bankë nëpërmjet kanalizimeve të ujërave të zeza, kanë nisur para rreth një muaji.
Banka që do grabitej ndodhet rreth 300 metra nga kryqëzimi i Ministrisë së Drejtësisë, ku ndodhet hyrja tek kanalet e kullimit.
Autorët, sipas burimeve paraprake, ishin veshur me jelekët të punonjësve të mirëmbajtjes në mënyrë që të kamufloheshin për të lehtësuar punën e tyre për të hyrë në kanalet e ujërave të zeza pa rënë në sy dhe më pas për të gërmuar me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të bankës.
Gërmimet janë kryer me matrapik, ndërsa puna kryhej gjatë ditës për shkak të zhurmave që janë në rrugë nga qarkullimi i mjeteve, në mënyrë që të mos kuptoheshin.
Dyshohet se grabitësit kanë pasur hartën e tunelit dhe dinin me saktësi si mund të shkonin drejt objektivit, duke gërmuar në rrugë dhe për këtë arsye po hetohet se ata mund të jenë ndihmuar nga punonjës elektricistë dhe të mirëmbajtjes së tunevele nëntokësore, të cilët mund t’i kenë dhënë planimetrinë e zonës së ndërtuar.
Gjatë aksionit të policisë, dyshohet se grupi i grabitësve ka lënë edhe një send, në dukje një armë zjarri që është dërguar për verifikim.
Përveç armës dhe disa mjeteve, policia ka arritur të sekuestrojë edhe disa bishta cigaresh në vendin ku kryheshin gërmimet të cilën janë dërguar për analiza biologjike.
Policia po punon më rishikimim e kamerave të sigurisë dhe pyetjen e disa biznesve në zonë me qëllim identifikimin e autorëve.
Autorët nuk janë identifikuar ende, ndërsa policia e kryeqytetit thotë se ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.