Ngjarje

Tensionet SHBA-Rusi zhvendosen në hapësirë

Raportet e tensionuara me sanksione dhe kundërsanksione mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë po reflektohen gradualisht edhe në hapësirë.

Moska njoftoi së fundmi se nuk do të transportojë më drejt Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar astronautë apo pajisje logjistike për llogari të Shteteve të Bashkuara. Vendimi, deklaron Rusia, do të hyjë në fuqi në prill të 2019.

Pikërisht në këtë muaj përfundon edhe kontrata e nënshkruar mes NASA-s dhe agjencisë hapësinore ruse, që zotëron anijet kozmike Soyuz-MS.

Zv.kryeministri Yury Borisov e konfirmoi lajmin.

“Me dërgesën e radhës, që do të bëhet vitin e ardhshëm ne përmbushim detyrimin tonë sa i përket kontratës së nënshkruar me NASA-n”, citohet ai nga mediat vendase.

Megjithatë, Sergei Krikalev, një zyrtar i lartë i agjencisë hapësinore ruse lë të hapur mundësinë nënshkrimit të një kontrate të re.

“Kontrata e re është në fazë diskutimi ende dhe deri më tani nuk ka asnjë vendim konkret”, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve TASS.

Që prej vitit 2011, kur NASA mbylli programin e vet “Shuttle” dhe vendosi në muze anijen e famshme të dhjetra fluturimeve drejt orbitës së Tokës, amerikanët nuk kanë aftësinë për të fluturuar drejt Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar.

Mbyllja e “Shuttle” u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes me rusët për të përdorur anijen e tyre kozmike për këtë qëllim, e cila është e vetmja në gjendje që të ankorohet në këtë stacion.

Anija e re e NASA-s është ende në ndërtim e sipër dhe nuk parashikohet që të përfundojë para prillit të vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se, nëse nuk ka një kontratë të re, të ngjashme me kontratën që skadon pranverën e 2019, amerikanët rrezikojnë që për një periudhë të pacaktuar të qëndrojnë me “këmbë” në tokë pa patur mundësi për të fluturuar në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar.

Vetë Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar ka përfunduar në qendër të vëmendjes së medias ditët e fundit, pas raportimeve për rrjedhje oksigjeni, që thuhet se u mbyll në kohë nga astronautët me mjete rrethanore.

Gjithsesi, zyrtarët dhe inxhinierët ndërkombëtarë që punojnë me këtë stacion konfirmuan se rrjedhja ishte minimale dhe nuk përbën asnjë rrezik për grupin aktual të astronautëve që ndodhen atje, që janë Drew Feustel, Ricky Arnold, Serena Aunon-Chancellor, Alexander Gerst, Oleg Aremyev dhe Sergey Prokopyev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë