Analize

Tensionet Kinë-Tajvan/ Sa të shqetësuar duhet të jemi për konfliktin ushtarak?

Në vijim të vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan, Kina ka zbuluar plane për stërvitje  ushtarake pranë ishullit, duke shkaktuar frikën e një krize në ngushticën e Tajvanit.

Pelosi vizitoi ishullin vetëqeverisës këtë javë në kundërshtim me një seri kërcënimesh nga Pekini, i cili e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur dhe paralajmëroi se do ta konsideronte vizitën një provokim të madh.

Ndërsa tensionet në ngushticën e Tajvanit ziejnë, sa të shqetësuar duhet të jemi?

Sa shqetësuese janë stërvitjet ushtarake të Kinës?

Ushtria e Kinës njoftoi stërvitje të përbashkëta ajrore dhe detare pranë Tajvanit dhe lëshime testuese të raketave konvencionale në detin në pjesën lindore të Tajvanit. Sipas mediave shtetërore kineze, tre nga gjashtë stërvitjet me zjarr të vërtetë do të mbivendosen me pretendimet detare të Tajvanit se janë territori i tij.

Përpara stërvitjeve, të cilat do të fillojnë të enjten, Tajvani tha se 27 avionë luftarakë kinezë kishin hyrë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore.

Tajvani nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës dhe thotë se tashmë është një komb sovran që nuk ka nevojë të shpallë pavarësinë. Ajo dëshiron të ruajë sigurinë e status quo-së dhe nuk dëshiron një konflikt, por ka thënë se do të mbrojë veten.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit i quajti stërvitjet e planifikuara të Kinës një bllokadë ajrore dhe detare të Tajvanit.

"...Një bllokadë është një akt ligjor lufte," tha eksperti i politikës së mbrojtjes Indo-Paqësorit, Blake Herzinger. "Unë mendoj se duhet t'i sinjalizohet Tajvanit se nuk është koha për t'i ndezur gjërat më tej"

Këtë javë, Tajvani është goditur gjithashtu nga një seri sulmesh kibernetike, megjithëse ende nuk është e qartë se kush ishte përgjegjës. Kina, partneri më i madh tregtar i Tajvanit, pezulloi gjithashtu një numër importesh nga ishulli.

Ekspertët pajtohen se as SHBA dhe as Kina nuk kanë oreks që tensioni të përshkallëzohet në luftë. Sipas Justin Bassi, drejtor ekzekutiv për Institutin Australian të Politikave Strategjike, stërvitjet ushtarake të Kinës ndoshta do të kalibrohen për të shmangur përshkallëzimin nga SHBA.

Herzinger tha se SHBA ka qenë shumë e kujdesshme për të mos shprehur mbështetje për pavarësinë e Tajvanit duke qenë se kjo është "vija e kuqe" e Kinës.

"Në angazhimin e SHBA me Tajvanin, ata janë gjithmonë të kujdesshëm për të siguruar që të gjejnë ekuilibrin e duhur midis mbështetjes së Tajvanit, por pa e inkurajuar Tajvanin të bëjë diçka që do të shkaktonte një konflikt më të madh," tha ai.

Amanda Hsiao, një analiste e lartë për Kinën në Grupin e Krizave, tha se ndërsa përshkallëzimi ushtarak i Kinës është shqetësues, kjo nuk është një përgjigje e papritur.

"Pekini po përpiqet qartë të shprehë kundërshtimet e tij të vendosura ndaj vizitës së Pelosit," tha ajo "Dhe kjo do të thotë se përgjigja ushtarake që ai zgjedh tani duhet të përshkallëzohet dukshëm mbi aktivitetet ushtarake që ka përfshirë më parë rreth Tajvanit, dhe kjo bazë është goxha lart.

"Unë mendoj se qëllimi i stërvitjeve ushtarake ka më shumë gjasa të qëndrojë dhe të demonstrojë forcën ushtarake," tha ajo.

A ka qenë situata kaq e tensionuar më parë?

Ka pasur disa kriza në ngushticën e Tajvanit, më e fundit në vitin 1995. Ai incident njihej si Kriza e Ngushticës së Tretë të Tajvanit dhe pasoi njoftimin e ishullit se do të mbante zgjedhjet e para demokratike presidenciale. Kina ndërkohë përdori muskujt e saj ushtarakë me muaj stërvitje ushtarake, duke përfshirë gjuajtjen e raketave 35 milje nga portet e Tajvanit.

Ndërsa ekziston një histori e shfaqjeve ushtarake në ngushticën e Tajvanit, Hsiao tha se duket se testet e raketave të planifikuara nga Kina në përgjigje të vizitës së Pelosit do të jenë më afër ishullit këtë herë.

Që kur Presidenti kinës Xi erdhi në pushtet në vitin 2012, ai e ka bërë të qartë se ribashkimi me Tajvanin është në axhendën e tij kryesore. Megjithatë, disa ekspertë thonë se përgjigja e Xi-t ndaj vizitës së Pelosit ka të ngjarë të jetë po aq për çështjet e brendshme në Kinë, sa edhe për forcimin e pushtetit.

Kina kontinentale është rrënuar nga kria e pronave që ka provokuar protesta dhe ngadalësim ekonomik që rezulton nga politika e saj e rreptë me zero Covid dhe bllokimet e vazhdueshme.

"Kur bëhet fjalë për vizitën e Pelosit, ndoshta mund të jetë një mundësi për Xi Jinping që të largojë lentet nga çështjet e brendshme dhe të fokusohet nga jashtë si një metodë shpërqendrimi," tha Jennifer Hsu, një studiuese në Institutin Loëy të Australisë.

Sipas Jade Guan, një eksperte në politikën e jashtme të Kinës në Universitetin Deakin, veprimet e Xi për t'u dukur të forta ndaj Tajvanit dhe kundër SHBA-së ka të ngjarë të ndikohen gjithashtu nga Kongresi i ardhshëm i 20-të Kombëtar, një takim që zhvillohet çdo pesë vjet për të shpallur ndryshime të mëdha në lidership.

“(Xi) e projekton veten si mbrojtës i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës, pjesë qendrore e së cilës është Tajvani”, tha Guan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë