Ka ndodhur

Dyshime për teste false, Mali i Zi bllokon dhjetëra qytetarë në Hanin e Hotit

Dhjetëra qytetarë shqiptarë, kryesisht punëtorë ditorë që punojnë në Mal të Zi, nuk janë lejuar të futen mëngjesin e kësaj të marte në territorin e shtetit fqinj.

Ata janë bllokuar nga pala malazeze për shkak të problemeve me dokumentet dhe certifikatën e vaksinimit në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit. Policët kufitarë nuk i kanë pranuar testet anti-Covid dhe i kanë kthyer mbrapsht, me dyshimin se ato kanë qenë të falsifikuara.

Mësohet se shumë prej tyre, nuk janë lejuar të kalojnë në anën tjetër të kufirit, ndërsa ka pasur edhe përplasje mes tyre dhe policisë.

Duke filluar nga 14 shtatori, kanë hyrë në fuqi masat e reja të vendosura nga autoritetet malazeze. Të gjithë qytetarët e huaj që duan të udhëtojnë në Mal të Zi duket të kenë:

-Një vërtetim që kanë kaluar 14 ditë nga rivaksinimi, për vaksinat që jepen me dy doza, ose kanë kaluar 14 ditë nga vaksinimi për vaksinat që jepen me një dozë;

-Një test PCR negativ Covid-19 jo më të vjetër se 72 orë, ose testin pozitiv PCR nga i cili kanë kaluar të paktën 14 ditë, por jo më shumë se 180 ditë;

-Test negativ antigjen, jo më të vjetër se 48 orë. Ata që nuk përkojnë me masat e mësipërme duhet të karantinohen.

Izolimi mund të ndërpritet pas një testi PCR negativ, pas ditës së gjashtë nga kalimi i kufirit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë