Lojëra me Dore

Tenis, turneu i rëndësishëm “Roland Garros” spostohet në vjeshtë

Federata Franceze e Tenisit vendosi ta organizojë edicionin 2020 të “Roland Garros” nga 20 shtatori në 4 tetor, për shkak të emergjencës nga Koronavirusi. “Askush nuk është në gjendje të parashikojë si do të jetë situata më 18 maj. Masat e marra aktualisht në vendin tonë na e bëjnë të pamundur vazhdimin e punës për organizimin e turneut dhe nuk jemi në gjendje që ta zhvillojmë atë sipas datave të parashikuara”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të Federatës Franceze të Tenisit për shtyrjen e njërit prej turneve më të rëndësishëm të tenisit botëror.

Parësore në këtë moment është mbrojtja e shëndetit të të gjithëve, kështu që është e arsyeshme kjo shtyrje, pasi më parë duhet luftuar kundër COVID-19. Turneu më prestigjioz në botë në dheun e kuq shtyhet kështu për në vjeshtë, por nuk anulohet. Vetëm dy luftërat e 1900-ës e kanë bërë të pamundur zhvillimin e “Roland Garros”. Nuk është zhvilluar ky turne në vitet 1915-1919, kur quhej ende “France Open”, si dhe në vitet 1940-1945. Janë 11 edicione, kurse tani ka vetëm një shtyrje.

Më 18 maj ishte programuar fillimi i ndeshjeve kualifikuese të turneut. Por pandemia e ka bërë situatën të paparashikueshme dhe organizimi i turneut nuk mund të ecë përpara. Tashmë është lënë takim për në fund të shtatorit, menjëherë pas mbylljes së “US Open”. Me shumë mundësi, spostimi i turneut francez do të krijojë një kalendar të ri të tenisit botëror, që do të zbulohet shumë shpejt. Për momentin, janë të konfirmuar turnetë ndërkombëtarë të Italisë dhe Uimbëlldonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë