Politike

Tenderi i uniformave, Ndreca: Nuk isha në dijeni të procedurave të tij

Plarent Ndreca, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme që ka përfaqësuar këtë institucion në padinë e ngritur për shpifje ndaj Partisë Demokratike për tenderin 25 milionë eurosh të uniformave të policisë ka dhënë një alibi të ngjashme me Sandër Lleshajn në lidhje me këtë tender.

Në një deklaratë të dhënë për Top News ai tha se ishte në dijeni të tenderit, por se nuk ishte në dijeni të procedurave të detajuara të tij. Ndreca mirëpret hetimin e SPAK, shpreh keqardhjen për arrestimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të ministrisë, por thotë se deri në mbyllje të hetimit ata janë të pafajshëm.

Ndërkohë, Plarent Ndreca është caktuar si përfaqësues i Ministrisë së Brendshme në padinë që ky institucion dorëzoi në prokurori për shpifje ndaj Partisë Demokratike kur kjo e fundit denoncoi këtë tender në 2019. Padia e kërkonte një dëmshpërblim prej 1 milion lekësh.

Më herët, edhe ish-ministri Sandër Lleshaj ka mohuar përfshirjen në këtë tender.

“Si ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha as autoritet ligjor për t’u përfshirë në asnjë procedure konkrete prokurimi. Sistemi i prokurimit në Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë