Teknologji dhe Inovacion

Tenderat SHBA- Akuza për kritere arbitrare në garën 10 mld dollarëshe të Pentagonit

Amazon dhe Microsoft po prisnin me kërshëri fundin e korrikut për të mësuar vendimmarrjen e Pentagonit mbi një tender të majmë prej 10 miliardë dollarësh për studimin dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale në fushën ushtarake, por pritja u mbyll me një një deklaratë të Departamentit të Shtetit që njoftonte shtyrjen e kësaj vendimmarrjeje.

Objekti i tenderit është sigurimi i analizave në fushën e inteligjencës artificiale dhe ruajtja e dhe mbrojtja e materialeve të klasifikuara si sekret ushtarak për një periudhë dhjetëvjeçare. Në pjatë ishin plot 10 miliardë dollarë, pothuajse sa fitimet vjetore të deklaruara për 2018 nga Amazon.

Shtyrja e vendimmarrjes pason deklaratën e bërë nga Presidenti Donald Trump muajin e kaluar. “Kam marrë ankesa të shumta në lidhje me kontratën e Pentagonit me Amazon”, deklaroi Trump, duke shtuar se mes kompanive që ishin ankuar ishte edhe Oracle dhe IBM, që të dyja të përjashtuara nga gara.

Trump shtoi se kishte kërkuar nga Departamenti i Mbrojtjes që të shikohen edhe njëherë me detaje kushtet e tenderit dhe të garës, pavarësisht se në 2018, zëdhënësja e tij, Sarah Sanders deklaronte se Presidenti nuk përfshihej në këtë proces.

Po në korrik, senatori republikan Marco Rubio akuzoi Pentagonin se kishte përdorur kritere arbitrare për të ngushtuar rrethin e kompanive që i plotësonin ato dhe për të favorizuar disa kompani të tjera. Rubio deklaronte se këto kritere mund të çonin në shpërdorimin e miliona dollarëve të taksapaguesve.

Megjithatë, pretendimet e Rubios u paragjykuan për faktin se ai ka përfituar miliina dollarë në fushatat elektorale, si formë mbështetjeje nga kreu i Oracle, Larry Ellison. Në mediat ndërkombëtare është hamendësuar se shtyrja e vendimmarrjes është një vendim i Sekretarit të Mbrojtjes, Mark Esper. Esper mori kompetencat e plota më 23 korrik, pas kalimit në Senatin amerikan duke i thënë fund një periudhe të gjatë pasigurie mbi lidershipin e Pentagonit, që e drejtonte si Sekretar në Detyrë.

“Sekretari Esper mbetet i vendosur që të sigurojë ushtrinë tonë me kapacitetet më të mira, përfshirë këtu edhe inteligjencën artificiale, për të mbetur forca më të fuqishme në botë, por edhe duke mos shpërdoruar paratë e taksapaguesve amerikanë”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes.

Zëdhënësja sqaroi se Sekretari do të analizojë në detaje programin e njohur si “Jedi” (Joint Enterprise Defense Infrastructure) dhe se asnjë vendim nuk do të ketë deri në përfundimin e kësaj analize.

Detyra e mëhershme që ka mbajtur në Pentagon e bëjnë Esper familjar me kontrata të tilla. Ndërkohë, vjeshtën e 2018, Departamenti i Mbrojtjes sinjalizoi se kontrata prej 10 miliardë dollarësh mund të nënshkruhej me Google, por vetë kompania u tërhoq duke deklaruar se ajo binte ndesh me parimet e saj për të mos militarizuar inteligjencën artificiale.

Mbi këtë vendim të Pentagonit, as Amazon dhe as Microsoft nuk kanë komentuar ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë